Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, ka zbuluar se një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian e ka paralajmëruar se do të ketë fatin e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.
Në një postim në Facebook, ai njoftoi se zyrtari e ka paralajmëruar se mund të vritet nëse ai miraton një ligj të frymëzuar nga Rusia për “agjentët e huaj” .
Lideri gjeorgjian tha se është paralajmëruar të jetë i kujdesshëm, nga personi që ka preferuar ta mbajë anonim, i cili iu referua atentatit të fundit ndaj Ficos.
Deklarata e gjeorgjianit vinte në dukje se komisioneri i BE-së kishte renditur një sërë masash ndëshkuese që mund të futeshin nga udhëheqësit perëndimorë nëse ligji i diskutueshëm miratohej.
Pavarësisht se fillimisht u mbajt anonim, ka qenë vetë Olivér Várhelyi, komisioneri hungarez, përgjegjës për zgjerimin e BE-së, i cili zbuloi se paralajmërimi erdhi nga ai.
Por ai theksoi se biseda telefonike me liderin gjeorgjian është nxjerrë jashtë kontekstit, dhe për këtë i vjen keq.
Várhelyi tha se kishte për qëllim t’i kërkonte kryeministrit “të mos e ndezë më tej situatën” duke miratuar ligjin për agjentët e huaj, “i cili mund të çojë në polarizim të mëtejshëm dhe në situata të mundshme të pakontrolluara”.
“Në këtë drejtim, ngjarja e fundit tragjike në Sllovaki u bë si shembull dhe si referencë se ku mund të çojë një nivel kaq i lartë polarizimi në një shoqëri edhe në Evropë”, citohet të ketë thënë ai sipas mediave të huaja.
Top Channel