Vota e Diasporës në 2025, zbulohet propozimi i Celibashit: Identifikim elektronik, më pas votim me postë ose aplikacion. Si reaguan PD-PS

22/05/2024 20:15

Ilirjan Celibashi u thirr për herë të dytë brenda javës për të raportuar për votën e emigrantëve.

Mbledhjes me dyer të mbyllura i dha dritë vetë KQZ e cila publikoi manualin se si parashikon të identifikojë emigrantët që do të dëshirojnë të votojnë pa pasur nevojë të vijnë fizikisht në Shqipëri.

KQZ merr përsipër ndërtimin e një sistemi online i cili do të jetë i aksesueshëm nëpërmjet një aplikacioni te dedikuar  që mund te shkarkohet edhe nëpërmjet smartphone-ve.

Verifikimi fillestar propozohet që të jetë skanimi i letërnjoftimit, ku fotografia  në dokumentin zyrtarë, do të krahasohet me fytyrën e personit që kërkon të regjistrohet si votues nëpërmjet aplikacionit face ID.

Identifikimi është hapi i parë për mundësimin e votimit nga jashtë. E dyta është forma se si do të shprehin vullnetin. Ilirjan Celibashi propozoi që edhe në këtë rast të përdoret teknologjia si bazë ku fleta e votimit do të mund të gjenerohet nëpërmjet portalit të KQZ-së. Më pas bëhet votimi dhe lihet e hapur mundësia që fleta të dërgohet përmes dy mënyrave në KQZ: Elektronikisht apo me postë.

“Periudha e votimet nga jashtë të zgjasë disa ditë para datës së zgjedhjeve brenda vendit. Votuesi nga jashtë do mund të votojnë në aplikacion disa herë, por numërohet vetëm vota e fundit”, thotë Ilirjan Celibashi.

Sipas KQZ, ky sistem që propozohet të ngrihet, do të garantojë që votuesi të ketë mundësi të shprehë vullnetin vetëm një herë, dhe mos të ketë votim të shumëfishtë, ku për këtë janë kodet unike që do të kenë fletët.

Por, a kënaq pritshmëritë e partive politike ky propozim i KQZ-së? Damian Gjiknuri i PS nuk ishte bindur sa i takon elementëve të sigurisë për votimin dhe identifikimin duke u shprehur se maxhoranca është më shumë pro votimi klasik me postë dhe identifikimit nëpërmjet Regjistrimit Kombëtar të Gjendjes Civile.

“Votimi elektronik ka shumë pikëpyetje nga pikëpamja e integritetit. Varianti më i mundshëm është varianti klasik i votimit me postë dhe regjistrimit të këtij portali. KQZ s’ mund të shërbejë si broker për regjistrimin”, thotë Gjiknuri.

Demokratët nga ana e tyre nuk i thanë jo asnjërit prej propozimeve, qofshin të KQZ-së, apo ato të PS-së, por kishin një vijë të kuqe e cila mund të cënonte besimin e tyre.

“Ne kërkojmë që nëse zgjidhet Posta, s’duhet të jetë Posta shqiptare, nëse me portal, jo portal qeverie”, tha Bylykbashi.

Formula e Ilirjan Celibashit nuk mori konsensusin e palëve. Topi tashmë është në fushën e politikës të cilëve u takon të arrijnë një pakt për t’i mundësuar votën diasporës në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Drafti me propozimet e KQZ për votën e Diasporës

Drafti me propozimet për regjistrimin e Diasporës

FOTO GALERI
25/27

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA