Shqipëria tre mundës në Paris 2024/ Dy sportistë me origjinë çeçene dhe një rus do të na përfaqësojnë në olimpiadë

22/05/2024 16:00

Në një nga vitet më të dobëta të përgatitjeve tona për olimpiadë, sa i përket pjesëmarrjeve për në Paris 2024, është mundja ajo që befason në listën e përfaqësuesve kuqezi, pasi në Paris 2024 nën ngjyrat e flamurit tonë do të shkojnë 3 mundës, Islam Dudaev Zelimhan Abakarov dhe afrimi më i fundit i Federatës Shqiptare të mundjes, rusi Chermen Valiev.

Vetëm 25 vjeç, në turneun Botëror të Stambollit me 3 fitore dhe një humbje ai arriti të sigurojë normën për të qenë në Olimpiadë dhe për të garua për Shqipërinë.

Një tablo e cila ndonjëherë hap edhe diskutime, me 2 mundës me origjinë nga Çeçenia dhe një nga Rusia që garojnë nën ngjyrat tona, por që Sahit Prizreni presidenti FSHM-s tregon edhe një herë se prania e tyre këtu janë një vlerë e shtuar për vendin dhe një shembull perfekt për djemtë tanë të mundjes.

“Në kohën time e kishim ëndërr të takonim një kampion bote apo Europe, sot këta djem I kanë në palestër”, tha Sahit Prizreni, president i FSHM.

Ndërkohë, këtë periudhë kaotike të Europës dhe botës, me luftëra dhe vende të cilët kanë dhe shpikin armiq kudo, gjendet edhe emri i mundësit të ri të Shqipërisë, Chermen Vliev. Ai ndodhet në listën e kundërshtarëve të Ukrainës, si ish-sportist i klubit të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, për të cilën na sqaron më tepër presidenti Prizreni.

Vetë Chermen Valiev, në një intervistë të parë për mediat shqiptare tregon arritjen kuqezi, përfshirjen e tij në listën e armiqve të Ukrainës dhe objektivin për olimpiadën e Parisit.

“Në Shqipëri më pritën shumë ngrohtësisht, kur erdha këtu bënë gjithçka për mua dhe ndihem si në shtëpinë time, faleminderit shumë presidentit të Federatës dhe të gjithë trajnerëve. Për mua, detyra e parë është të shkoj në Paris dhe të marr një medalje.

Ky do të jetë një moment historik për Shqipërinë dhe unë do të bëj gjithçka që kam në dorë. Sa I përket përfshirjes time në listën e kundërshtarëve të Ukrainës unë mund të them se kam si detyrë vetëm të bëjë sport dhe besoj se sporti është jashtë politikës’, tha Chermen Valiev, mundës i kombëtares shqiptare.

Top Channel