Maurizio Sarri vijon të shijojë pushimet, por duket se jo edhe për shumë kohë, pasi për trajnerin italian ka pasur oferta të ndryshme
Në një intervistë për median italiane, Sarri rrëfen se ka pasur oferta nga Premier League dhe La Liga, teksa mohon kontaktet me Fiorentinën e Bolognën në Itali, të cilat janë lakuar së fundi.
“Kam pasur katër oferta nga klube të Premier League dhe La Ligës, por duhet ta studioj me qetësi, Do të pranoj vetëm nëse do të jetë një opsion që më josh dhe më intrigon. Në Itali nuk kam pasur kontakt me asnjë skuadër”, shprehet Sarri.
Ish-trajneri i Lazios ka komentuar edhe situatën e vështirë te Juventusi, teksa e ka cilësuar dështim vetëm triumfin në Kupën e Italisë, por ka shprehur besimin se Giuntoli do të rikthejë skuadrën aty ku duhet.
“Juventusi është një skuadër që ka si moto ‘e vetmja gjë që vlen, është të fitosh’, ndaj nuk besoj se mjafton vetëm suksesi në Kupën e Italisë. Nuk mund të jap një opinion për Allegrin, pasi nga jashtë është e lehtë, por për disa situata duhet të jesh brenda. Giuntoli është i fortë, i keq, kompetent dhe autoritar, ndaj e shoh si personin e duhur për të rikthyer Juventusin te titulli”, u shpreh tekniku italian.
Sarri pranoi gjithashtu se titulli kampion i Napolit një vit më parë e kishte gëzuar pa masë, teksa theksoi se “të kaltrit” mbeten skuadra e tij e zemrës. /Supersport
Top Channel