Skandali i gjakut të infektuar në Britaninë e Madhe nuk ishte rastësi, por faji i mjekëve dhe i disa qeverive, veprimet e të cilëve çuan në vdekjen e 3,000 personave dhe infektimin e mijëra të tjerëve me hepatit apo virusin HIV, ishte përfundimi i një hetimi mbi ngjarjen që tronditi vendin disa dekada më parë.
Drejtuesi i hetimit Brian Langstaff, pohoi se mbi 30 mijë persona morën gjak të infektuar në vitet 1970 dhe 1980 nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë, i financuar nga shteti, çka bëri që në këtë mënyrë të shkatërroheshin jetë e familje të tëra.
“Qeveria fshehu të vërtetën për të “shpëtuar fytyrën dhe për të kursyer shpenzimet”, thuhet në raport, ku nënvizohet se mbulimi i kujdesshëm i bërë kësaj ngjarjeje të rëndë ishte më i mirëmenduar se një “komplot konspirativ”. Kryeministri Rishi Sunak e quajti këtë “një ditë turpi për shtetin britanik”.
“Rezultati i këtij hetimi duhet ta shkundë kombin tonë deri në palcë”, tha ai, duke shtuar se ministrat dhe institucionet kishin dështuar në mënyrën më të “dhimbshme dhe shkatërruese”.
“Dua të kërkoj një falje pa mëdyshje me gjithë zemër për këtë padrejtësi të tmerrshme,” u shpreh Sunak përpara parlamentit dhe premtoi kompensim të plotë për të prekurit.
Familjet e viktimave dhe të mbijetuarve kishin kërkuar drejtësi për vite me rradhë. Langstaff, që drejtoi hetimin gjashtëvjeçar, tha se shkalla e asaj që ndodhi ishte e tmerrshme dhe befasuese.
Në disa raste, sipas gjaku i përftuar në formë donacionesh nga të burgosurit amerikanë apo grupe të tjera me rrezikshmëri të lartë, u përdor te fëmijët, duke i infektuar ata me HIV ose hepatit C, edhe shumë kohë pasi rreziqet e lëvizjeje të tilla ishin të ditura tashmë.
Top Channel