VIDEO/ Bologna-Juventus ndajnë pikët, Montero debuton me barazim në krye të “bardhezinjve”

20/05/2024 22:58

Paolo Montero debuton me barazim në krye të Juventus-s, me transfertën e Bologna-s që u mbyll me rezultatin 3-3, me tekniku uruguaian që mori përkohësisht drejtimin e “Zonjës së Vjetër” pas shkarkimit të trajnerit Massimiliano Allegri.

Ndeshja e luajtur në “Stadio Renato Dall’Ara” rezultoi shumë e luftuar, me skuadrat që në fund ndanë pikët e javës së 37-të të Serie A.

Kjo sfidë u zhbllokua që në minutën e dytë me Calafiori-n që kaloi vendasit në avantazh.

Ndërsa në minutën e 11’ rrugën drejt rrjetës e gjeti Castro, i cili dyfishoi avantazhin e Bologna-s, si dhe bëri që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 2-0.

Edhe fraksionin e dytë Bologna e nisi në sulm, me Calafiori-n që shënoi golin e tretë për skuadrën e Motta-s në minutën e 53′.

Ndërsa u duk se vendasit po fitonin sfidën, në minutën e 76’ Chiesa realizoi golin e parë për skuadrën e Juventus-it.

Më pas skuadra mike shënoi edhe golin e dytë duke rihapur sfidën në minutën e 83’ me Milik.

Ky takim u vulos vetëm një minutë më pas, kur Yildiz shënoi golin e tretë dhe i dha barazimin Juves.

Në fund gjithçka u mbyll me barazimin 3-3 me të dyja skuadrat që janë me pikë të barabarta nga 68 pikë, Bologna në vend të tretë dhe Juventus në vend të katërt, me diferencën në renditje që e bëjnë rezultatet e ndeshjeve direkte./ SuperSport

Top Channel