Verona siguroi këtë të hënë qëndrimin në Serie A, në sfidën në transfertë ndaj Salernitana-s që ishte e vlefshme për raundin e 37-të ose thënë ndryshe për javën e parafundit të kampionatit italian.
Skuadra e Baroni-t diktoi ritmin e sfidës, ndërsa në fund ia doli që të fitojë me rezultatin 1-2. Ishte Suslov ai i cili zhbllokoi takimin, me golin e shënuar në minutën e 22’ pas asistit të dhuruar nga Noslin. Ndërsa në mbyllje të pjesës së parë, në minutën e 45+3’ Folorunsho dyfishoi avantazhin e Verona-s.
Në fraksionin e dytë Verona pati raste të tjera për ta thelluar fitoren, megjithatë atë që nuk e bënë miqtë e realizuan vendasit, të cilët shënuan golin e vetëm në minutën e 90′ me Maggiore.
Pas kësaj jave Salernitana e vendit të fundit qëndron në kuotën e 16 pikëve, teksa Verona shpëton sezonin duke u renditur në vend të 13-të me 37 pikë, katër pikë më shumë se Empoli i vendit të 18-të, që përkon me pozicionin e fundit që bie nga kategoria.
Top Channel