“Final 4”/ Ndahen tribunat e tifozëve për Partizani-Egnatia dhe Skënderbeu-Vllaznia

20/05/2024 17:22

Partizani-Egnatia është finalja e këtij sezoni në Superiore, duel që do të luhet të dielën e 26 majit në stadiumin “Air Albania”.

Duke nisur nga ora 19:00. Një finale e madhe mes dy prej skuadrave më të mira të këtij sezoni, që edhe pas përfundimit të kampionatit të rregullt e mbyllën me pikë të barabarta në renditje.

Një ndeshje e rëndësisë maksimale, që do të gjykohet nga anglezi i mirënjohur Anthony Taylor. FSHF, si organizatore e ndeshjeve të “Final Four”, ka përcaktuar edhe ndarjen e tribunave për tifozët e kuq dhe ata nga Rrogozhina.

Në sektorin N do të vendosen tifozët e Partizanit, ndërsa sektori S është i rezervuar për ata të Egnatias. Në tribunën kryesore, sektorët W 101, W 102 dhe W 103 janë në dispozicion të tifozëve të “Demave”, ndërsa në sektorët W 105, W 106 dhe W 107 do të vendosen tifozët rrogozhinas.

Të gjitha tribunat e tjera do të jenë në dispozicion të tifozëve të të dyja skuadrave. Dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar.

Gjithashtu është përcaktuar edhe ndarja e tribunave për finalen e vogël për vendin e tretë/katërt: Skënderbeu-Vllaznia. Të premten e 24 majit në orën 19:00, në “Air Albania”.

Tifozët e Skënderbeut do të pozicionohen në sektorin N, ndërsa ata të Vllaznisë në sektorin S. Në tribunën kryesore, sektorët W 101, W 102 dhe W 103 janë në dispozicion të korçarëve, ndërsa në sektorët W 105, W 106 dhe W 107 do të vendosen kuqeblutë shkodranë.

Tribunat e tjera do të jenë në dispozicion të tifozëve të të dyja ekipeve. Biletat për Partizani-Egnatia dhe Skënderbeu-Vllaznia mund të blihen online në ebileta.al. Si edhe në pikat fizike pranë stadiumeve “Air Albania” dhe “Selman Stermasi”. Në fashën orare 10:00-18:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA