Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në përfundim të fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, shprehu solidaritetin për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia.
Balla theksoi se kushdo që tenton të kundërshtojë, godasë apo të tentojë të vrasë një efektiv policie nuk do të ketë asnjë tolerancë.
“Nuk mund të rri edhe në detyrën e ministrit të Brendshëm që është përballur Policia e shtetit, por që besoj ka solidaritetin e të dy krahëve sa i përket vrasjes së punonjësit të policisë së shtetit, Noruz Cenalia. Pres mbështetjen e secilit prej jush për nevojën që ka policia. Shoqëria duhet të reflektojë për ridimensionimin e dënimeve, por edhe mbështetjes publike, që duhet t’i japim si garantues i vetëm i sigurisë në mënyrë të përditshme. Kush kundërshton me forcë dhe guxon ta thyejë, godasë apo larg qoftë t’i marrë jetën, duhet ta ketë sot të qartë që toleranca e Policisë së Shtetit dhe e drejtësisë duhet të jetë zero.
Nëse qytetari mendon se ka të drejtë ndërsa punonjës i Policisë e ka gabim, qytetari ka të gjithë të drejtën madje ka dhe të gjithë mekanizmat ta apelojë vendimin e Policisë në rrugë administrative, gjyqësore. Por çdo veprim kundërshtimi nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Thirrja e punonjësit të Policisë është thirrje për t’u zbatuar. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të Policisë, të marrë avokatin.
Kuvendi e ka bërë detyrën e vet, se ka miratuar aktet ligjore. Na duhet të vendosim një standard të ri sa i përket autoritetit të punonjësit të Policisë së Shtetit. Ne, Kuvendi dhe qeveria e bashkë me shoqërinë, nuk duhet të pranojmë kurrsesi dhe raste ku përfshihen edhe deputetët kur shkojnë të shtyhen të fyejnë, të kërcënojnë, të kanosin me dhunë dhe duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Është koha pra që të jepen shembuj konkret të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal duke vendosur një standard të ri, ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit. Kjo duhet të ndodhë kudo, e pa asnjë hezitim.
I bëj thirrje drejtësisë ta hetojë me paanshmëri, ngjarjen e fundit dhe të japë një dënim ekzemplar.
Na duhet një politikë e re penale, e cila të zërë vend në këtë drejtim dhe kam besim se sistemi i drejtësisë do ta bëjë. Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshëm punonjësve të Policisë së Shtetit përbën kundërvajtje penale, e cila për ata që nuk e dinë, nëse një punonjës policie të bën thirrje ose të kërkosh të largohesh, të mbash distancën mosbindja dënohet me burgim deri në 3 muaj; nëse e kundërshton punonjësin e policisë me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, dënimi shkon deri në 1 vit burg; e kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, mund të dënohesh deri në 7 vite burg. I kemi shkruar dhe miratuar ne në Kod Penal, Kuvendi i Shqipërisë.
Të dashur motra e vëllezër deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Policia e Shtetit i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri, pavarësisht qeverive që janë në pushtet, atdheut dhe qytetarëve. Janë ndeshur, ndeshen dhe do të vazhdojnë të ndeshen me kriminelë e keqbërës, dhe një pjesë prej tyre kanë dhënë dhe jetën për të mbrojtur jetët dhe sigurinë e qytetarëve. Policia ka derdhur gjak në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i Policisë së Shtetit është vetë gjaku i shtetit”, tha Balla.
Përsa i përket marrëveshjeve me Italinë dhe Greqinë për çështjen e pensioneve, Balla tha se do të votohet, sepse emigrantët shqiptarë meritojnë të marrin pensione, për sakrificën e tyre.
“Anëtarët e Kuvendit do ta votojnë këtë marrëveshje, koj qeveri ka vendosur një rekord të numrit të marrëveshjeve të ngjashme dhe e vetmja qeveri me kryeministrin Edi Rama që krijoi këtë mundësi, për bashkëatdhetarët që jetojnë prej vitesh kudo në botë, të kenë mundësi të shpërblehen, Ça problemi keni që shkoi Rama në Athinë, mos nuk ju pëlqeu ndonjë gjë nga ato që tha? Kam qenë vetë emigrant, duhet të themi që jemi krenarë që punojnë dhe kanë bërë arritjet e tyre”, tha Balla.
Ministri e quajti një lajm të mirë që Interpol do të zhvillojë konferencat e veta në Shqipëri. Ai theksoi se “nuk ka ndodhur asnjëherë në 33 vite që Interpol të bëjë konferencat e veta nga data 11-13 qershor. Është konfirmim i punës së mëtejshme të policisë së shtetit”.
Top Channel