Samiti në Malin e Zi/ Kurti thirrje Serbisë t’i dorëzojë Radojçiçin dhe grupin e tij Kosovës! Vuçiç: Nuk ka asnjë mesazh për miratimin e rezolutës së gjenocidit në Srebenicë

16/05/2024 12:46

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian (BE), ku po diskutohet për Planin e Rritjes për këtë rajon, po mbahet në Kotor të Malit të Zi.

Gjatë samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje Serbisë që të ndjekë penalisht personat përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Në shkëmbimet e zjarrit që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajëson Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

“I bëj thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiçin dhe grupin e tij paramilitar”, tha Kurti. Radoiçiq aktualisht besohet se është në Serbi, dhe ndaj tij është lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL).

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se nuk ka asnjë mesazh për Malin e Zi sa i përket miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.

Votimi për këtë rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është caktuar për 23 maj.

“Pyetja është se cili është kuptimi i rezolutës. Dhe çfarë është ajo përveç se vendosje e fajit kolektiv, pasi fajësia individuale tashmë është përcaktuar”, tha ai.

Në samitin në Kotor, nënsekretari James O’Brien tha se prioritete të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë krijimi i një tregu të përbashkët të monedhës, ulja e kostove, lehtësimin e lëvizjes së tregut dhe krijimi i më shumë vendeve të punës.

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Borjana Kristo, tha se shteti i saj është pajtuar për 110 reforma nga 113, sa fillimisht ishin propozuar nga BE-ja.

“Rruga evropiane është qëllimi kryesor i politikës së jashtme për të cilën ka konsensus në Bosnje e Hercegobinë”, tha Kristo.

Përveç udhëheqësve dhe ministrave të shteteve të rajonit, në samit marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane për Investime, Bankës Botërore, NATO-s, nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe përfaqësues të komunitetit të energjisë dhe transportit.

Një ditë para mbajtjes së samitit, më 15 maj u takuan ministrat për Çështje Evropiane dhe të Financave të shteteve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e Komisionit Evropian.

Ministrat po ashtu diskutuan për Zonën e Përbashkët për Pagesa me Euro (SEPA), për lehtësimet në tregti dhe transport mes shteteve të rajonit dhe anëtarëve të BE—së, përmirësimit të furnizimeve me barna esenciale dhe tema të tjera.

Në muajt paraprak, samite të ngjashme ministrore dhe rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor u mbajtën në Shkup dhe Tiranë./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA