Me anë të një vendimi të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Shqipëria ka rikthyer vizat për zyrtarët e Bjellorusisë, vendit kryesor aleat me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes shtrihet vetëm për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit”- thuhet në vendim.
Bjellorusia është vendi që ka mbështetur që prej fillimit sulmin e Rusisë në Ukrainë, duke u vendosur në dispozicion të Moskës zyrtare sa i takon vendosjes së armëve bërthamore.
Vendimi i plotë i publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave:
V E N D I M PËR PEZULLIMIN E PJESSHËM TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BJELLORUSISË, PËR HEQJEN RECIPROKE TË KËRKESAVE PËR VIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, miratuar me vendimin nr.152, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave.
2. Pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes shtrihet vetëm për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit dhe botohet në fletoren zyrtare.
Top Channel