Vendimi i fundit i Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për miratimin e ankesave të koalicionit “Vlen”, të partive VMRO-DPMNE, LSDM dhe “E Majta” ka gjasa të mëdha ta përmbysë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, duke i hequr të paktën një deri në dy deputetë koalicionit Fronti Evropian të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Votimi do të përsëritet në shtatë qendra në njësitë zgjedhore 5 dhe 6. Njësia e gjashtë zgjedhore përfshin rajonin e Pollogut. Koalicioni “Vlen” është ankuar për parregullsi në një fshat të Tetovës, edhe pse në kutitë e votimit ka pasur më tepër vota se sa Fronti Evropian.
Nga Fronti Evropian thonë se KSHZ në bashkëpunim me “Vlen” dhe partitë maqedonase po manipulojnë procesin dhe “po bëjnë inxhinieringun e votave”, siç shprehen përfaqësuesit e këtij koalicioni. KSHZ miratoi ankesën e VMRO-së dhe koalicionit të tij për parregullsi në njësinë e pestë zgjedhore, përkatësisht në Krushevë, Ohër, Strugë dhe në fshatin Dollnen.
Atje, po ashtu ekziston mundësia që një deputet t’i hiqet BDI-së dhe koalicionit të tij dhe t’i jepet Lidhjes Social Demokrate, në rast se rivotimi del në favor të partive kundërshtare të Frontit Evropian. Në këtë njësi zgjedhore BDI-ja me 109 vota më teper se LSDM-ja arriti të sigurojë katër deputetë, ndërsa kjo e fundit tre.
Por, së pari duhet të vendosë Gjykata Administrative lidhur me ankesat e subjekteve politike. Partitë kanë afat prej 24 orësh t’i drejtohen kësaj gjykate, ndërsa ajo duhet të marrë vendim 48 orë pas vendimit të KSHZ-së. Pas këtij vendimi, KSHZ do të dalë me rezutatin përfundimitar.
Ankesat kishin të bëjnë me mospërputhjen e numrit të votuesve të regjistruar në regjistrin zgjedhor dhe numrin e fletëve të votimit në kutitë e votimit; procesverbalet e plotësuara në mënyrë jo të duhur, mospërputhje e numrave nga procesverbalet me aparatin e identifikimit biometrik.
Fronti Evropian doli si subjekti i dytë më i madh pas VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare të 8 majit me 19 ligjvënës në parlamentin prej 120 vendesh. VMRO-ja 58, LSDM 18; një rezultat aq i dobët, sa nuk i ka ndodhur kësaj partie që nga pavarësia e vendit. Koalicioni Vlen mori 13 ligjvënës, “E Majta” 6, aq sa edhe partia “Znam”.
VMRO-ja dhe Vlen po zhvillojnë bisedime lidhur me qeverinë e ardhshme. Ato kanë së bashku 71 ligjvënës, ndërsa mjaftojnë 61 për miratimin e kabinetit qeveritar. Ndërkohë, fitorja e thellë e nacionalistëve maqedonas shikohet me shqetësim nga opinioni publik dhe një pjesë e analistëve për shkak të qëndrimeve të drejtuesve të kësaj partie kundrejt ndryshimeve kushtetuese të cilat paraqesin kusht për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian./VOA
Top Channel