Shkatërrohet banda e dy vëllezërve shqiptarë! Grupi kriminal në Torino po testonte nëndetëse për transportimin e kokainës

14/05/2024 13:43

Një organizatë kriminale, që dyshohet se drejtohej nga dy vëllezër shqiptar, u shkatërrua në Torino, pas një operacioni të përbashkët mes policisë italiane dhe asaj shqiptare.

Gjashtë masa paraprake për ‘arrest me burg’ u ekzekutuan në Itali, ndërsa tre të tjera pritet të vihen në zbatim në Shqipëri.

Gjatë hetimeve të koduara ‘Carlav’, pasi e kanë origjinën nga hetimet ndaj drejtuesve të lavazheve që menaxhonin në mënyrë të paligjshme disa plantacione marijuanë, hetuesit rindërtuan skemën e një shoqate me bazë në Volvera, ku në vitin 2022, u kap një 62-vjeçar me 200 kilogramë drogë të fshehura në shtëpinë e tij. Grupi vepronte midis Ekuadorit, Belgjikës, Francës, Spanjës dhe Italisë dhe dyshohet se furnizonte qendrat kryesore italiane të trafikut të drogës me sasi të konsiderueshme kokaine, hashash dhe marihuanë.

Sipas karabinierëve, organizata drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë, të cilët, duke shfrytëzuar burime të konsiderueshme financiare, rekrutuan ‘punëtorët e drogës’ në Itali dhe Shqipëri. Këta bashkëpunëtorë kishin për qëllim mbajtjen, transportin dhe shitjen e lëndës narkotike.

Trafikantët, ndër të tjera, kishin projektuar dhe testuar një nëndetëse të vogël, e cila mund të pilotohej nga distanca, që dyshohet se do të përdorej për të transportuar drogë. Testimet janë bërë për ta përdorur nëndetësen brenda Lago Grande të Avigliana.

Gjatë hetimeve, të kryera nga nëntori 2021 deri në fund të vitit 2022, hetuesit kapën disa ngarkesa droge dhe sekuestruan mbi 204 kilogramë, përfshirë kokainë, hashash dhe marihuanë. Kokaina ka shumë të ngjarë të ketë mbërritur në Itali nga Amerika e Jugut, duke kaluar përmes Holandës, ndërsa pjesa tjetër ka kaluar përmes Spanjës dhe Francës, duke përdorur makina të pajisura me dysheme dyshe të bëra vetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA