Miratohet projektligji për “agjentët e huaj”, shpërthejnë protestat në Gjeorgji! Policia ndërhyn me forcë, disa të lënduar

14/05/2024 18:58

Parlamenti i Gjeorgjisë votoi ligjin për “agjentët e huaj”, që prej javësh ka shkaktuar protesta masive në rrugët e vendit.

Megjithatë, projektligji tani po përballet me një veto të mundshme nga presidenti i Gjeorgjisë, të cilin parlamenti mund ta anashkalojë duke mbajtur një votim shtesë.

Miratimi i projektligjit shkaktoi protesta të ashpra jashtë parlamentit në Tbilisi, ku u mblodhën mijëra vetë. Protestuesit sulmuan policinë, teksa disa prej tyre tentuan të çanin barrierat metalike pranë godinës. Dhjetëra demonstrues morën ndihmë mjekësore, për shkak të gazit lotsjellës.

Situata ishte e tensionuar edhe brenda parlamentit, me përplasje fizike dhe verbale mes deputetëve pro-qeverisë dhe opozitës.

Më herët, kryeministri Irakli Kobakhidze paralajmëroi se nëse autoritetet tërhiqen nga projektligji, Gjeorgjia do të humbiste sovranitetin dhe “do të kishte fatin e Ukrainës”, pa dhënë detaje se çfarë donte të thoshte me këtë deklaratë. Para se të hynte në Parlament, presidentja Salome Zourabichvili, kundërshtare e Kobakhidze, tha për BBC se do të vendoste veton ndaj ligjit.

Sipas legjislacionit, mediat ose grupet e shoqërisë civile në Gjeorgji që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë vendit do të duhet të regjistrohen si “organizata që u shërbejnë interesave të një fuqie të huaj”. Projektligji është dënuar nga ndërkombëtarët, që e cilësojnë një akt të frymëzuar nga Kremlini. Brukseli paralajmëroi se mund të dëmtohen edhe aspiratat e Gjeorgjisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA