Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në mbrëmje se është i gatshëm të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare.
Ai i bëri këto komente pas një darke me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në të cilën ishin ftuar edhe dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por të cilat refuzuan të marrin pjesë.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi se zgjedhjet e reja janë çështje e viteve, por e muajve. Andaj edhe unë jam i interesuar që ta diskutojë me Partinë Demokratike, Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dimë që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta”, tha kryeministri Kurti, mandati i të cilit përfundon në fillim të vitit 2025.
“Për mua nuk është thelbësore se a do të qeveris në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme të kemi një konsensus sa më të gjerë për muajin, datën e zgjedhjeve”, theksoi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi, tha pas takimit se zgjedhjet e parakohshme janë shndërruar në domosdoshmëri për Kosovën, duke e kritikuar kryeministrin Kurti për qeverisje jo të mirë.
“Kosova është në agoni, kemi një ekonomi të stagnuar, kemi rritje të madhe të çmimeve, me paga e pensione të vogla të cilat nuk u mjaftojnë familjeve të Kosovës të lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që vërtetë është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, arsim të degraduar, politikë të jashtme pothuajse joekzistente, për më shumë, një parlament jofunksional, në të cilin vazhdimisht po barten pikat pa pasur mundësi të kalohen, edhe ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë e lëre më marrëveshjet ndërkombëtare”, tha zoti Krasniqi.
Ai theksoi se në rrethanat aktuale “është e rëndësishme të kthehemi te qytetari për të marrë mendimin e tyre”, duke ju referuar edhe siç tha situatës së vështirë mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjermania dhe Franca e kanë shndërruar themelimin e Asociacionit në kusht për votimin e tyre në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka cilësuar “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë dhe ky qëndrim duket se e la Kosovën jashtë rendit të ditës së Këshillit të Ministrave të kësaj organizate që mblidhet këtë javë.
“Konsideroj se duhet ta përshpejtojmë punën për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve”, tha zoti Krasniqi.
I pyetur nga gazetarët nëse qeveria e Kosovës ka ndryshuar qëndrim ndaj kërkesave perëndimore për Asociacionin, kryeministri Kurti tha se “nuk kam asgjë të re t’ju them për këtë sepse ne tashmë i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Tash unë besoj që fjalën nuk e kemi ne por e ka Këshilli i Evropës, përkatësisht Këshilli i Ministrave”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në rrjetet sociale akuzoi kryeministrin Kurti se qëndron prapa nismës për shpërbërjen e parlamentit.
“Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, shkroi ai, duke nënvizuar se “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit”.
Kryeministri Kurti tha se do të këmbëngulë të takohet me të gjitha partitë opozitare, për të kërkuar bashkëpunimin e tyre për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Top Channel