Zyra Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues, e cila në fakt është një shërbim sekret që vepron brenda Gjermanisë, sipas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë Administrative në Mynster, mund ta klasifikojë Alternativën për Gjermaninë (AfD) si një rast të dyshuar nga drejtësia për ekstremizëm të djathtë.
Gjykata më e lartë administrative e landitRenania Veriore-Vestfalia, me qendër në qytetin Mynster, hodhi poshtë ankesën e AfD-së. Në këtë mënyrë ajo konfirmoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës Administrative në Këln nga viti 2022. Kjo do të thotë se Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës mund të përdorë ende metoda të inteligjencës për të monitoruar AfD-në. Aktgjykimi nuk është ende përfundimtar, AfD mund të aplikojë për rishikim në Gjykatën e Lartë Administrative në Leipzig.
Në procedurën e apelit para Gjykatës së Lartë Administrative në Mynster, u diskutua pyetja nëse Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues e klasifikoi saktë të gjithë AfD-në si një rast të dyshuar për ekstremizëm të djathtë, apo nëse kishte një bazë ligjore për këtë. U diskutua edhe klasifikimi i “Krahut” të AfD-së tashmë të shpërbërë si një rast i dyshimtë me “qëllim të besueshëm ekstremist”, si dhe klasifikimi i “Alternativës së Re” (Junge Alternative-JA) si një rast i dyshuar.
“Bazë e mjaftueshme ligjore”
Gjykata në Münster deklaroi në një kumtesë për shtyp se rregullat e Shërbimit të Mbrojtjes së Rendit Kushtetues ofrojnë një bazë të mjaftueshme ligjore për monitorimin dhe vëzhgimin e AfD-së si një rast i dyshimtë dhe se kjo vlen edhe për partitë politike, të cilat janë posaçërisht të mbrojtura nga Kushtetuta gjermane.
Sipas gazetës Süddeutsche Zeitung, Shërbimi për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues ka muaj që po punon për një raport të ri për AfD-në. Në atë ekspertizë, e gjithë Alternativa për Gjermaninë mund të cilësohej si “ekstremiste e verifikuar e djathtë”. Deri më tani ekzistonte vetëm dyshimi se në pjesë të partisë AfD kishte ekstremizëm të djathtë. Hetuesit mbështeten në e-mailet e brendshme dhe shënimet nga Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues. Raporti aktualisht i vlefshëm i Zyrës për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues për AfD-në është përpiluar nga pranvera e vitit 2021. Jo më vonë se marsi 2023, e-mailet e brendshme të Zyrës për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues përmendin një raport të ri mbi AfD, i cili është ende duke u punuar.
Prillin e kaluar u shfaq drafti i parë i raportit. Në draft-raport, në kapitullin e titulluar “Zhvillimi i partisë nga marsi 2022”, përmendet një aspekt i ri: “Marrëdhëniet me Rusinë”.
Raporti i ri u pengua për shkak të padisë së AfD-së
Raporti i ri në fakt duhej të ishte gati në dhjetor 2023. Sipas informacioneve të gazetës Süddeutsche Zeitung (SZ), marrëveshja e brendshme përkatëse për këtë është arritur dhe miratuar majin e kaluar nga Presidenti i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës Thomas Haldenwang dhe zëvendësi i tij Sinan Selen. Vetëm se gjyqësori me sa duket i ka vënë frenat. Gjykata më e lartë administrative në Münster ka shtyrë vazhdimisht seancën për këtë çështje. Tashmë (13 maj 2024) ajo ka dhënë përfundimisht vendimin, duke konfirmuar dyshimin për tendencat e ekstremit të djathtë të AfD-së.
Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues liston tashmë degët rajonale të AfD në Tyringji, Saksoni e Poshtme dhe Saksoni-Anhalt si “ekstremistë të verifikuar të krahut të djathtë”. Edhe Alternativa e të Rinjve të AfD-së (Junge Alternative, shkurt JA) klasifikohet në të njëjtën mënyrë. Në fillim të shkurtit, kërkesa e Alternativës së Re kundër kualifikimit se është “ekstremist i verifikuar i djathtë” dështoi në Gjykatën Administrative në Këln. Megjithatë, ky vendim nuk është ende përfundimtar./DW
Top Channel