Presidentja Silianovska tha “Maqedoni” gjatë betimit, Mitsotakis: Zgjedhje provokuese! Shkeli Kushtetutën dhe po minon të ardhmen e saj

13/05/2024 09:35

Pas Ministrisë së Jashtme greke edhe Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka reaguar ashpër duke shprehur fuqishëm mosmiratimin e Greqisë për qëndrimin dhe veprimet e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska, e cila bëri betimin e saj duke përmendur vetëm fjalën “Maqedoni” dhe jo emrin kushtetues siç  parashikohet në Marrëveshjen e Prespës.

“Zgjedhja provokuese e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një nismë e paligjshme dhe e palejueshme. Akt, i cili shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë Kushtetutën e shtetit të saj. Minon gjithashtu të ardhmen e saj, siç ka deklaruar tashmë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel”.

“Dihet se si opozitë,- deklaron Mitsotakis -se  Demokracia e Re votoi kundër Marrëveshjes së 2019-ës, në fakt duke paralajmëruar në atë kohë problemet që do të krijonin boshllëqet e saj. Si qeveri, megjithatë, ne respektuam firmën e Greqisë  tek një traktat ndërkombëtar, të detyrueshëm për vendin. Për fat të keq, zhvillimi i fundit vërteton pozicionin tonë të qëndrueshëm të kujdesshëm”.

Kryeministri Mitsotakis thekson se Greqia refuzon manipulime si ato me të cilat zonja Silianovska fillon mandatin e saj dhe i bën thirrje  që t’i kthehet detyrave ligjore dhe sjelljeve që rrjedhin nga roli i saj.

“Ne deklarojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë rrëshqitje të tilla. Dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i ndërmarrë nga Shkupi drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve. Nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Dhe, sigurisht, nga shmangia e sfidave” , përfundon deklarata e kreut të qeverisë greke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA