Petkoviç: Patriarkut serb i është ndaluar hyrja në Kosovë

13/05/2024 16:42

Autoritetet në Prishtinë kanë ndaluar kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe shtatë peshkopëve tjerë, vizitën në Kosovë, ka thënë shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Sipas tij, përfaqësuesi më i lartë i Kishës Ortodokse Serbe është nisur në Kosovë për të marrë pjesë në Kuvendin e Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës, ditën e martë.

“Në orën 1:30 pasdite, patriarku serb është dashur të kalojë pikën administrative të Merdares, për të shkuar në selinë shekullore të kryepeshpokëve dhe patriarkëve, mirëpo në momentin kur është dashur të kalojë pikën, ka ardhur ndalesa prej Prishtinës, me arsyetimin se kreu i Kishës Ortodokse Serbe nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviç.

Ai ka thënë Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat valide, e ka dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë, sipas REL.

“Patriarku serb Porfirije, gjithmonë, në çdo rast dhe vend, bën thirrje për paqe dhe bashkëjetesë të serbëve dhe shqiptarëve në zonën e Kosovës dhe Metohisë. Fatkeqësisht, këto janë vlera dhe mesazhe që askush në Prishtinë nuk i kupton”, ka thënë mes tjerash Petkoviç.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje prej Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës nëse kërkesa është bërë në bazë të marrëveshjeve të kaluara dhe nëse është ndaluar hyrja e patriarkut Porfirije, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të shpallur në shkurt të vitit 2008 – prandaj dy vendet negociojnë në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA