Legjionarët kuqezi! Lojtarët shqiptarë drejt një mbyllje sezoni fantastik në klubet e tyre

13/05/2024 12:34

Kur kanë mbetur edhe pak javë nga përfundimi i sezonit 2023-2024 në disa nga kampionatet më të rëndësishme në Europë dhe jo vetëm, legjionarët kuqezi vijojnë të japin më të mirën e tyre në klubet ku aktivizohen.

Sokol Cikalleshi u rikthye te goli në kampionatin turk me Konyasporin, që triumfoi 3-0 në sfidën e fundjavës ndaj Samsunsporit. Sulmuesi i Kombëtares realizoi me kokë në minutën e 38-të. Për sulmuesin kavajas ky ishte goli i 12-të në kampionat, teksa numëron edhe pesë asistime. Taulant Seferi vijon të shfaqet protagonist me ekipin e Bani Yas në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pavarësisht se skuadra e tij u mposht 2-3, 27-vjeçari nga Kumanova dhuroi një asist për shokun e skuadrës Alvarez. Seferi ka zhvilluar një sezon të mirë në aspektin personal. Ai numëron 9 gola dhe 4 asistime deri më tani.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, po kalon një moment fantastik në karrierën e tij. Mbrojtësi po shkëlqen me Atalantën. Të enjten e kaluar skuadra bergamaske shkroi historinë duke siguruar për herë të parë finalen e Europa League.

Në ndeshjen e kthimit Atalanta triumfoi 3-0 ndaj Marseille dhe Berat Gjimshiti ishte më i miri në prapavijë. Në fund të sfidës, 31-vjeçari u vlerësua me notën 7.6 nga sajti i specializuar për statistika sofascore. Edhe në sfidën e fundjavës në Seria A kundër Romës, Atalanta regjistroi fitoren e radhës me rezultatin 2-1. Gjimshiti sërish u vlerësua më i miri në mbrojtje, duke regjistruar një tjetër paraqitje dinjitoze me zikaltrit.

Top Channel