Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në profilin e tij në Facebook, lidhur me takimin e sotëm që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, tha se është i gatshëm të takohet sërish me Kurtin për interesin e Kosovës.
Sipas tij, Kosova është në agoni dhe PDK-në e “shqetëson shumë fakti që ka shumë bashkëqytetarë që e kanë të vështirë ta lidhin muajin me muaj. Çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta dhe familjet kosovare po përballen me vështirësi të ndryshme. Në anën tjetër, qeveria nuk po bën sa duhet për ta”, thekson Krasniqi.
Prandaj ai kërkon që sa më parë të vendoset për datën e zgjedhjeve.
“Uroj që edhe partitë e tjera të mbështesin një nismë për shpërndarjen e Kuvendit. Stagnimi i theksuar i shtetit, posaçërisht në ekonomi, por edhe në rrafshin ndërkombëtar, nuk mund të presë më shumë. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike – por një domosdoshmëri nacionale. PDK është gati! I gjithë vendi është gati!”, shprehet ai.
Top Channel