Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në fjalën e saj të mbajtur gjatë takimit të zhvilluar me shqiptarët në Athinë, falënderoi qytetarët shqiptarë për mikpritjen madhështore dhe shprehu krenarinë për ta.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali ftoi shqiptarët në Athinë, të kthehen në Shqipëri, pasi siç u shpreh ajo, Shqipëria e sotme është vendi që kush kthehet me dijet, aftësinë dhe kursimet e punës në emigracion, i ka të gjitha për t’ia hapur vetes rrugën në një copë Europe në formim e sipër.
Sot, tha Spiropali, kur shqiptarët që duan ta sprovojnë veten në kërkim të më shumë mundësish se sa ata shohin në Shqipëri zgjedhin të ikin, kjo përmbysje është gjithashtu edhe lajmësja e parë e një ftese deri dje jobindëse për rikthim, të atyre që kanë kursime për të investuar në bastin e sigurt të Edi Ramës dhe shqiptarëve që kanë zgjedhur të rrinë.
‘Mirëdita këtu e kudo ku jeni shqiptarë të Greqisë nga Tirana, Korça, Berati, Elbasani, Gjirokastra, Durrësi, Shkodra, Vlora, Kukësi, Fieri, Lezha, Dibra, Kolonja, Mirëdita a Malësia, e gjithë Shqipëria,
Kalimera Athina! Një përqafim për çdo bir nëne që flet shqip në këtë vend, për çdo motër vëllai, për çdo baba fëmijësh e bashkëshort gruaje që kanë ardhur apo po e ndjekin këtë kuvend nga të katër skajet e Greqisë, për të ndarë rrahje zemrash që këndojnë dhe vajtojnë në shqip dhe dashurojnë gjithashtu në gjuhën tonë të bukur, e cila na bën bashkë në ndjenjën e përkatësisë dhe të krenarisë shqiptare.
Miq, motra dhe vëllezër! Sa herë vë këmbën në Greqi, më vjen i menjëhershëm mendimi i kohës kur perdja e hekurt e komunizmit ra dhe papritur kuptuam se ishim të gënjyer, se ishim të varfër e të pangrënë, se ishim të vetëm, në një botë tmerrësisht të madhe, që as e njihnim, as na njihte.
Atëherë, Greqia, fqinji ynë shekullor me të cilin shpesh kishim ndarë fate të përbashkëta, shpesh bukën e munguar, po edhe dashurinë, edhe plumbat, u shfaq pas asaj perdeje qorruese si toka e parë matanë humnerës së krijuar mes Shqipërisë dhe botës së lirë.
Krahë grekësh fisnikë e zemërgjerë, u zgjatën kur ne u shfaqëm në këtë tokë e ndanë me ne bukë e kripë, psomi e nero. Dhjetëra mijëra histori suksesi hodhën farën e tyre në atë ribashkim fatesh, ku pati edhe fraktura të shumta e të dhimbshme nga përplasja si dallgë në fytyrë e një të panjohure, hija e një simbioze që po shfaqej në të gjithë perëndimin, ku emigranti ishte si fillim një kriminel dhe këtu në Greqi, krimineli ishte si fillim një shqiptar.
Fërkime dhe keqkuptime, mëri të vjetra dhe hesape të reja, në kufirin dikur të heshtur mes Shqipërisë dhe Greqisë, nisën të riluajnë si në një pllakë të shpluhurosur gramafoni kërcitje të forta, nën gjilpërën e mërive të reja të ngritura mbi hesape të vjetra.
Pjesa tjetër është histori e një ndryshimi kolosal. Epokal. Sot ajo pllakë vazhdon të rrotullohet hera-herës, por kërcitjet e gjilpërës së gramafonit, nuk i kalojnë më dot korridoret politikës së ditës dhe gjinkallat mediatike nuk i amplikifojnë dot ato kërcitje përtej orarit kur edhe ushqyesit e gjinkallave mbyllin qepenat e dyqaneve të lajmeve online dhe shkojnë në shtëpi, ku janë fqinj të mirë me shqiptarët në çdo lagje e rrugë të Greqisë.
Shqiptarët e Tiranës apo korçarët e Athinës dhe Selanikut, shqiptarët e vjetër e të rinj të Patrës apo Pargës, Korfuzit apo Paramithisë dhe grekët e lindur e të rritur këtu, ndajnë sot gotën e uzos dhe të rakisë, dashurojnë me këngët e Dalarës dhe Pariosit, të Eleni Furerës, Dua Lipës e Elsa Lilës dhe vallëzojnë greqisht zembelikon.
Dhe duke ju parë juve këtu dhe ata dhjetëra e qindra mijëra shqiptarë të tjerë të Greqisë, që i kanë sytë sot në këtë sallë, e cila u bë për ditë si një fortesë që do merrej a s’do jepej, më vjen të bërtas, o Zot sa shumë ka ndryshuar koha e shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Të dashurit e mi, Ndryshe nga Majlinda dhe Romina, lidhja e trungut tim familjar me Greqinë kalon përmes dellit suljot të nënës sime të lindur në Tiranë. Një degë familjeje shqiptare, e besimit mysliman, që si shumë të tjera në atë kohë krijimi të shteteve tona, luftoi e u shpërngul në skajin më jugor të Shqipërisë, aty ku kloni ndante të dy vendet tona. Nëna ime u martua me babain tim ortodoks, siç janë martuar dhe kanë lindur fëmijë një pafundësi shqiptarësh, për të cilët, as feja dhe as origjina etnike nuk kanë qenë kurrë pengesë për të bashkuar fatet e tyre, në këtë hapësirë ku gjeografia dhe historia shpesh janë bërë barrikadat e politikës kundër popujve dhe pririrjes së tyre të natyrshme për t’i kapërcyer kufijtë për dashurinë, për punën, tregtinë, kulturën, dijen dhe dëshirën për ta jetuar jetën, plot pasion e vrull siç bëjmë ne ballkanasit si pakkush tjetër në këtë kontinent të bekuar me emrin Europë.
E di që sot ju jeni mbledhur kaq të shumtë, për të dëgjuar fjalën e dikujt, që rreth 25 vjet më parë ishte emigrant në Perëndim. Ai sot është Kryeministri i vendit tuaj, ku natyrisht ka ende plagë për të shëruar dhe rrugë për të bërë deri në sheshin e flamujve të Europës së Bashkuar.
Por mjafton të mendosh se çfarë marrëzie ishte kur ju ikët nga Shqipëria e deri pak vite më parë, që ta mendoje se vendi ynë do të bëhej magneti i më se dhjetë milionë turistëve në vit, ndër të cilët edhe grekë sa të duash, për të kuptuar se si është kthyer bota përmbys.
Sot kur shqiptarët që duan ta sprovojnë veten në kërkim të më shumë mundësish se sa ata shohin në Shqipëri zgjedhin të ikin, kjo përmbysje është gjithashtu edhe lajmësja e parë e një ftese deri dje jobindëse për rikthim, të atyre që kanë kursime për të investuar në bastin e sigurtë të Edi Ramës dhe shqiptarëve që kanë zgjedhur të rrinë.
Shqipëria e sotme nuk është ende vendi ku kush kthehet e gjen të shtruar rrugën, po është padiskutim vendi ku kush kthehet me dijet, aftësitë, eksperiencën dhe kursimet e punës në emigracion, i ka të gjitha për t’ia hapur vetes rrugën, në një copëz Europe në formim e sipër.
Ju po vini në fakt, gjithnjë e më të shumtë për ta parë Itakën tuaj, kurdo që mundeni dhe shumë prej jush kur vini, i vëzhgoni mençurisht shtigjet e mundësive të rikthimit.
Shqipëria po bëhet miqtë e mi, po bëhet më e zonja, më e fortë, më e hapur për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë diçka me hiret e saj, duke investuar në shtëpitë e të parëve, me pjellorinë e saj, duke prodhuar nga toka e të parëve, me dijet e saj të reja, duke ngritur celula për të shfrytëzuar teknologjinë.
Dje ishit ju që e mbajtët Shqipërinë me bukë, sot Shqipëria mund t’ju mbajë juve duke iu ofruar mundësitë e saj të reja.
Por gjithësesi falë jush sot, ka ndodhur mrekullia, sepse ju që jetoni këtu me kokën lart, respektoheni për punën tuaj, jo vetëm s’keni më siklet të thoni emrin shqiptar, po keni edhe kënaqësinë të dëgjoni kur grekët kthehen të habitur me vendin tonë, e keni bërë Shqipërinë më të madhe.
Sot nuk ka Shqipëri vetëm në Shqipëri dhe krenari vetëm për Shqipërinë, po ka Shqipëri edhe këtu, si njëherë e një kohë, kur në këtë vend flitej shqip nga të katër anët dhe shqiptarët ishin pjesë krenare e jetës së Greqisë. Ndryshimi me atë kohë është se sot shqiptarët e Greqisë janë një nga pararojat e Shqipërisë së anëtarësuar në Bashkimin Europian. Njësoj si grekët ju i përkisni tanimë jo vetëm me zakon, po edhe me ligj asaj familjeje, të cilës së shpejti do t’i bashkohet edhe nëna jonë Shqipëri.
Duke ndjekur gjurmën tuaj, shembullin tuaj, fuqinë tërheqëse të sukesit tuaj. Uh, kujtoja se palestra e parlamentit m’i kishte neutralizuar përgjithnjë ato emocionet e herëve të para në podiume. Por tani që fjalës sime i erdhi fundi e më duket ia dola deri diku ta përcjell siç desha, mund t’ju rrëfehem që mbrëmë s’kam vënë gjumë në sy. Edhe njëherë, evkaristo para poli shqipet e Athinës dhe të gjithë Greqisë!
Një përqafim të madh për secilin nga ju dhe një urim nga zemra që të gjitha të mirat t’u prijnë familjeve tuaja. Rroftë Shqipëria”-ishte fjalimi i Spiropalit.
Top Channel