Senatorja për Ekonominë e Berlinit, Franziska Giffey (SPD) është lënduar lehtë në një sulm fizik në lagjen Rudov. “Të martën (7 maj) pasdite në bibliotekë, një burrë sulmoi papritmas ish-kryetaren e bashkisë së Berlinit “nga prapa me një çantë plot me përmbajtje të fortë dhe e goditi në kokë dhe qafë”, njoftoi policia e Berlinit dhe zyra e prokurorit publik. Policia nisi menjëherë hetimet.
Pas sulmit, ish-ministrja federale për Çështjet e Familjes “shkoi në spital për një kohë të shkurtër për shkak të dhimbjes në zonën e kokës dhe qafës”, thanë autoritetet në një deklaratë.
Për të forcuar Kodin Penal
Të martën, ministrat e brendshëm federalë dhe të landeve mbajtën një takim të posaçëm për shkak të sulmeve të fundit ndaj politikanëve dhe aktivistëve zgjedhorë. Ata u shprehën në favor të mbrojtjes më të mirë të personave aktivë politik, por edhe në favor të shtrëngimit të Kodit Penal.Ata që janë politikisht aktivë në Gjermani bëjnë jetë gjithnjë e më të rrezikshme. Sulmi ndaj Franziska Giffey është vetëm maja e ajsbergut. Ditë pas dite sulmohen sidomos politikanët në lande e komuna – kërcënohen dhe shahen.
Si edhe Max Reschke, i cili prej një viti është kryetar i të Gjelbërve në Turingi. Ai tha për DW: “Nga krishtlindjet e deri në fillim të vitit, gjatë protestave të bujqve, kishim një grumbull plehrash jashtë derës së çdo zyre, hedhje të vezëve në xhama, xhama të thyer në disa zyra si dhe kuti postare të shkatërruara nga eksplozivi. Ndodh që njerëzit të kërcënohen – nëse kthehemi ne në pushtet, atëherë do t’ju ndodhë kjo ose ajo. Dhuna verbale është rritur padyshim vitet e fundit”.
Të Gjelbërit janë veçanërisht në shënjestër
Politikanët ekologjistë sulmohen veçanërisht shpesh. Prandaj, Reschke dhe ekipi i tij gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, të cilat mbahen në fund të majit dhe zgjedhjet evropiane në fillim të qershorit, shkojnë në terren të paktën në çifte, pra nga dy persona, për sigurinë e tyre. Në kurse, aktivistët e gjelbër trajnohen të flasin me qetësi me njerëzit, të praktikojnë de-përshkallëzimin dhe të mos lejojnë që të provokohen.”Ka njerëz që tani po na kërcënojnë dhe thonë ato që kanë menduar dikur. Ata po përpiqen të frikësojnë edhe familjet tona. Por ka dhe të tjerë që kalojnë nga kërcënimet në veprime. Fatkeqësisht këtë po e shohim tani në Dresden”, thotë Reschke.
Ndezja e shtëpisë së politikanit të SPD
Edhe në Essen të lanit Renania Veriore-Vestfalia, më 2 maj, dy politikanë të partisë ekologjiste u ofenduan fillimisht verbalisht dhe më pas u sulmuan fizikisht. Njëri është lënduar gjatë sulmit. Në Brandenburg në të njëjtën ditë, protestuesit e zemëruar goditën makinën e zëvendëspresidentes së Bundestagut Katrin Goering-Eckart (të Gjelbrit) dhe e penguan atë të lëvizte me makinë.
Edhe në Gotha të Turingisë në shkurt, persona të panjohur i vunë zjarrin shtëpisë së një politikani të SPD-së, i cili organizoi një demonstratë kundër ekstremizmit të djathtë.
Fatkeqësisht, dhuna ndaj politikanëve nuk është një fenomen i ri: kryetarja e bashkisë së Këlnit, Henrietta Recker, ishte viktimë e një atentati me armë të ftohta në vitin 2015, të cilit i mbijetoi me shumë mundim. Në vitin 2019, një ekstremist i krahut të djathtë vrau politikanin e CDU në Hessen, Walter Libke.
Kryeministri bavarez Markus Söder fajëson ekstremistin e djathtë të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) për dhunën e fundit kundër politikanëve. Por edhe politikanët e AfD janë viktimë e sulmeve.
Max Reschke dëshiron të vazhdojë të jetë aktiv në politikë, por kërkon që politikanët vendas të kenë më shumë mbrojtje nga shteti dhe policia. “Thjesht mbrojtja ka qenë shmë e vogël kohët e fundit. Nuk është mirë që fillimisht të ndodhë diçka dhe vetëm më pas të ndërmirren masa. Shoqëria në tërësi duhet të pyesë veten se në cilin drejtim duam të shkojmë. Unë nuk mendoj se është mirë që të ketë më shumë dhunë dhe më shumë frikë.”
Urrejtja ndaj vendit
Një sondazh aktual me më shumë se 6.400 kryetarë të bashkive në Gjermani, i kryer nga Instituti Forsa, në emër të Fondacionit Kerber, vjen në një rezultat shqetësues: 40 për qind e të anketuarve thanë se ata ose njerëzit përreth tyre ishin fyer, për shkak të punës së tyre, se janë kërcënuar apo sulmuar fizikisht.
Prandaj, disa prej tyre po e shqyrëtojnë edhe idenë e heqjes dorë nga politika lokale. Por ky nuk është një fenomen thjesht gjerman. Tendenca të tilla ka në të gjithë Evropën, si dhe në SHBA, thotë për DW Sven Tezlaf, shef i demokracisë dhe bashkëpunimit në Fondacionin Kerber.
Shkaqet: “Gjuha është bërë më e ashpër dhe sigurisht që ka të bëjë me rrjetet sociale. Njerëzit bëjnë një farë lloj gare atje në urrejtjen ndaj shtetit, sistemit politike dhe poltikës së “atyre lart”.
Sulmet ndaj demokracisë
Një tjetër gjë, sipas Tezlaf, është fenomeni që gjithnjë e më shumë njerëz insistojnë vetëm në interesat e tyre, që vetëm idetë e tyre zbatohen. Gatishmëria për të gjetur një kompromis apo ekuilibër mes interesave të ndryshme është në rënie. “Kjo do të thotë se njerëzit nuk duan të realizojnnë gjërat nëse nuk zbatohen interesat e tyre. Atëherë ata e refuzojnë sistemin, fyejnë politikanët që nuk zbatojnë interesat e tyre”, shpjegon ai.
Që nga viti 2021, ekziston të paktën një portal i quajtur “I fortë në detyrë” për politikën lokale kundër urrejtjes dhe dhunës, të cilin Fondacioni Kerber e ka krijuar së bashku me Shoqatën Gjermane të Qyteteve, Shoqatën Gjermane të Distriktit dhe Shoqatën Gjermane të Qyteteve dhe Komunave. Rreth 3.000 politikanë vendas klikojnë në faqe për të mësuar rreth strategjive për të parandaluar dhe luftuar kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes në internet.
Nëse politikanët lokalë tërhiqen pas sulmeve aktuale nga frika për sigurinë e tyre, atëherë skenari është vërtet shqetësues: “Nëse njerëzit nuk angazhohen më në nivelin e parë të demokracisë, në më shumë se 11.000 komuna në Gjermani, nuk punojnë vullnetarisht në politikën lokale, atëherë njerëzit shohin se demokracia nuk funksionon më. Ndaj nëse nuk kemi më besim në nivelin lokal, se ky shtet demokratik mund të vazhdojë të funksionojë, atëherë ne vërtet kemi një problem të madh në Gjermani”./DW
Top Channel