Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi i ftuar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën në Top Channel, deklaroi se ai vetë nuk e kishte votuar në tërësi ligjin për Amnistinë Penale.
Pavarësisht përfshirjes së propozimeve të Bardhit në amendamentin e prezantuar nga qeveria, Bylykbashi u shpreh se ligji i amnistisë ishte tepër i ndërlikuar dhe nuk tregonte qartë kategoritë përfituese.
“As unë vetë nuk e votova në tërësi atë ligj. Sepse ishte ndërtuar në mënyrë kaq të komplikuar. Një amnisti duhet të ketë parametra të thjeshta. Nëse ka ndodhur ato që janë evidentuar dhe kemi njerëz të dënuar për ndërtim pa leje se kanë ndërtuar çatinë, kjo ishte ndalim, nuk pranohej. Ishte ndërtuar i tëri për t’u bërë ashtu dhe cdo lloj modifikimi nuk arriti ta përmirësonte situatën”- u shpreh Bylykbashi.
Ndërsa sa i takon aludimeve për marrëveshje mes Rithemelimit dhe qeverisë për kontrollin e institucioenve të drejtësisë së re, deputeti tha se nuk bëhet fjalë për asgjë të tillë.
“Të thuash “marrëveshje 2008 2.0” është gjë e thjeshtë, por nuk ka lidhje me këtë histori. Të thuhet se ka përpjekje për marrëveshje kundër SPAK-ut, unë e thashë këtë gjë, SPAK-u për mua është i detyruar të bëjë atë që është dizejnuar dhe ato prova që po shpërthejnë”- shtoi ai.
Top Channel