Ky është Bardhyl Ibra, 73 vjeç nga Gjinari i Elbasanit.
Ndoshta, ai mund të jetë rekordmen sa i takon numrit të çështjeve gjyqësore ku është i përfshirë si palë. Ai është palë në të paktën 300 procese gjyqësore, një shifër e padëgjuar më parë për 1 person të vetëm.
Plot 150 çështje ai i ka hapur për tejkalim të afateve të arsyeshme të shqyrtimit. Ai ka të regjistruara në gjykatën europiane për të drejtat e njeriut plot 30 çështje. Më herët, ka fituar në Strasburg 3 procese ndaj shtetit shqiptar.
‘Unë aktualisht në proces kam mbi 300 çështje gjyqësore. 30 çështje në Strasburg, 3 te fituara, do fitoj se sbën’ u shpreh qytetari, Bardhyl Ibra.
Çështja e parë është për një kontratë me spitalin e Vlorës për furnizmin me medikamente reagent mjekësore. Pavarësisht vendimit në favor, nga Gjykata e Shkallës së parë Vlorë, ministria aso kohe shprehte vendosmërinë për të mos e zbatuar. Në fakt, vendimi nuk u zbatua.
‘Gjyq, gjobitej ministri, fitonte, nuk merrte paratë. Çështja në Strasburg, përgjigja e ministrit jemi të vendosur që këtë vendim të mos e zbatojmë sepse është i korruptuar edhe pse ka marrë vendim të formës së prerë në tre gjykata’ u shpreh qytetari, Bardhyl Ibra.
Strasburgu i ka dhënë të drejtë dhe ka vendosur dëmshpërblimin prej 2500 euro. Kanë kaluar 7 muaj nga vendimi i Strasburgut dhe Bardhyl Ibra ende nuk i ka marrë të gjitha paratë që i detyrohet shteti shqiptar. Ndërkohë, afati maksimal për likuidim është 3 muaj. Procesi ka zgjatur që nga viti 1994 deri më sot. Pra, plot 30 vite proces, por ende vendimi nuk është zbatuar i plotë. Një rast tipik që tregon se edhe një drejtësi e dhënë për 3 dekada, bëhet e pavlefshme.
Edhe dëmshpërblimin prej 2.500 eurosh që është caktuar, qytetari Ibra thotë se e ka ankimuar në Dhomën e Madhe të Strasburgut ku këkron 180 mijë euro plus kamatëvonesat.
Në dy raste të tjera, ai ka dy vendime të tjera në favor nga Strasburgu që ka caktuar respektivisht 950 dhe 1200 euro për vonesa dhe mosekzekutim vendimi.
Fjala është për një vendim të gjykatës së shkallë së parë Elbasan që nuk është ekzekutuar që në vitin 1999. Bardhyl Ibro fitoi procesin ndaj një qytetari që i detyrohej 2.5 milionë lekë të reja që bashkë me kamatëvonesat shkon në 3.4 milionë. Edhe pse vendimi ka marrë formë të prerë, përmbarimi zvarrit çështjen.
Top Channel