Macron dhe von der Leyen, “presion” presidentit kinez në lidhje me tregtinë

07/05/2024 07:11

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen i kërkuan presidentit kinez Xi Jinping të punojë për një tregti më të ekuilibruar me Evropën në bisedime mes tyre në Paris të hënën në fillim të vizitës dy-ditore të Presidentit Xi në Francë.

Presidenti Macron gjithashtu i bëri trysni udhëheqësit kinez që të përdorte ndikimin e tij në Rusi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Xi tha se Franca dhe Kina duhet të punojnë së bashku të parandalojnë një “Luftë të re të Ftohtë” midis blloqeve globale, për çështje të ndryshme përfshirë tregtinë.

Presidenti Xi mbërriti në Evropë për herë të parë pas pesë vjetësh, në një kohë tensionesh në rritje në lidhje me tregtinë. Bashkimi Evropian është duke hetuar sektorë të ndryshëm kinezë përfshirë atë të automjeteve elektrike, ndërsa Pekini është kundërpërgjigjur duke vendosur tarifa kryesisht ndaj importeve të konjakut që është prodhim francez.

Presidenti francez i bëri dhuratë homologut kinez Xi konjak ‘Hennessey’ nga firma ‘LVMH’ dhe ‘Remy Cointreau RCOP.PA’, të cilat janë ndër kompanitë franceze të prekura nga vendosja e tarifave kineze.

Pa dhënë detaje, zoti Macron falenderoi Presidentin Xi për atë që ai e përshkroi si qëndrimin e tij të hapur në lidhje me masat e përkohshme për konjakun.

“BE ka sot tregun më të hapur në botë… por ne duam të jemi në gjendje ta mbrojmë atë”, u tha Presidenti Macron gazetarëve, duke folur së bashku me homologun kinez pasi të dy u takuan disa herë gjatë ditës.

“Ne mund të ecim para vetëm përmes dialogut dhe punës së përbashkët”, tha ai.

Pasi mori pjesë në takimin trepalësh me të dy udhëheqësit në pallatin presidencial francez, Elysee, Presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen ishte më e drejtpërdrejtë.

Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë që prodhimet e shumta kineze, përtej nevojave të tregut, të mbizotërojnë tregun e tij”, tha ajo.

“Evropa nuk do të hezitojë të ndërmarrë vendime të ashpra nëse është e nevojshme të mbrojë tregun e saj”, tha ajo, duke përmendur hetimet që po zhvillon BE-ja dhe sanksionet që mund të pasojnë.

Qëndrimi kategorik i BE-së për tregtinë me Kinën është i ngjashëm me qasjen e Uashingtonit. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen ka paralajmëruar Pekinin se Uashingtoni nuk do të pranojë ‘shkatërrimin’ e sektorëve të rinj nga importet kineze.

Gjatë bisedimeve të tyre, të mbajtura me dyer të mbyllura, Presidenti Xi ra dakord që mospajtimet lidhur me tregtinë dhe ekonominë duhet të tejkalohen përmes dialogut, thanë media shtetërore kineze.

Në komentet e bëra përpara një prej takimeve të tij me Presidentin Macron, zoti Xi i kërkoi homologut francez që “të parandalojë një ‘luftë të re të ftohtë’” midis blloqeve.

“Ne duhet të jemi largpamës dhe të punojmë së bashku për një botë të barabartë dhe të rregullt shumëpolare”, tha Presidenti Xi, duke i bërë thirrje zotit Macron që t’i bashkohet atij për të kundërshtuar pengesat ndaj zinxhirëve të furnizimit të Kinës dhe ekonomive të tjera.

QËNDRIME TË NDRYSHME NË BE LIDHUR ME KINËN

Burimet diplomatike franceze thanë se Presidenti Xi dukej i hapur ndaj shqetësimeve në lidhje me disbalancat tregtare, duke shtuar se objektivi i vizitës ishte të përçonte mesazhe gatishmërie për bashkëpunim. Nëse do të ndërmerret ndonjë veprim më pas, mbetet për t’u parë, thanë burimet.

27 anëtarët e BE-së – veçanërisht Franca dhe Gjermania – nuk janë në të njëjtën linjë në qëndrimin e tyre ndaj Kinës. Ndërsa Parisi mbron një linjë më të ashpër mbi hetimin e makinave elektrike kineze, Berlini dëshiron të tregojë më shumë kujdes, thonë burimet.

Kancelari gjerman Olaf Scholz nuk mori pjesë në takimin e Presidentëve Macron dhe Xi në Paris për shkak të angazhimeve të mëparshme, thanë diplomatët.

Disa zyrtarë të qeverisë franceze shprehën privatisht shqetësimin se Berlini do të përpiqet të minojë hetimin ndaj automjeteve elektrike kineze.

Franca gjithashtu po kërkon nga Kina të hapë tregun e saj ndaj eksporteve bujqësore franceze dhe të zgjidhë çështjet rreth shqetësimeve të industrisë franceze të kozmetikës mbi të drejtat e pronësisë intelektuale.

“Kompanitë dhe autoritetet franceze dhe kineze komunikojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin”, tha Jean-Paul Agon, kryetari i gjigantit francez të kozmetikës L’Oreal, në një forum biznesi franko-kinez. “Ajo që ka rëndësi është dëshira jonë e përbashkët për të gjetur zgjidhje dhe për të ecur përpara së bashku”.

Ndërkohë, Kina pritet të njoftojë se do të blejë rreth 50 avionë Airbus gjatë vizitës së Presidentit Xi në Paris.

Pas një darke në Pallatin Elysee, Presidenti Macron do ta shoqërojë homologun kinez në Pirenej të martën, një rajon malor i dashur për presidentin francez pasi aty është vendlindja e gjyshes së tij nga nëna./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA