Arsenal me sytë nga City, skuadra e Guardiolës asnjë humbje në kampionat që nga dhjetori

06/05/2024 16:02

Arsenal dhe Manchester City duken të destinuara për të dueluar mes tyre deri në javën e fundit të këtij edicioni të Premier League.

Kur kanë ngelur dhe 2 javë nga fundi, “Topçinjtë” kryesojnë kampionatin anglez me 83 pikë, një më tepër se Manchester City, që ka një ndeshje më pak. Skuadra e Mikel Artetës dëshiron të realizojë atë çka nuk e arriti një sezon më parë, por përpara është e njëjta pengesë.

Të besuarit e Pep Guardiolës janë një makineri e vërtetë dhe sidomos në Premier Legaue kanë treguar “muskujt” ndaj kujdo që i ka dalë përpara në javët e fundit. “Citizens” do të luajnë dhe tre ndeshje deri në fund, dhe nëse marrin 9 pikë atëherë do të parakalonin kyresuesit aktual e do të ruanin kurorën e kampionit.

Nga data 10 dhjetor Manchester City nuk ka pësuar asnjë humbje në kampionat dhe sipas kuotimeve konsiderohet favorit, edhe pse aktualisht është i dyti. Më thjeshtë, Arsenali edhe nëse merr maksimumin ndaj Manchester United dhe Evertonit, mund të mos mjaftojnë. “Qytetarët” do të luajnë me Fulham, Tottenham dhe West Ham deri në fund. “Topçinjtë”, mund të shpresojnë tek titulli vetëm nëse së paku në një nga këto ndeshje City ndalet dhe vetë bëjnë detyrat siç duhet.

Zhgënjim mund të konsiderohet Liverpool që sot është 5 pikë pas Arsenalit, kur në lojë janë dhe 6 pikë. Jurgen Klopp do të largohet nga “The Reds” pas sfidave me Aston Villa dhe Wolves, por lojtarët nuk mundën që t’i bëjnë një dhuratë lamtumire./ SuperSport

Top Channel