Shembja e digës pas reshjeve masive lë 29 të vrarë, dhjetra të zhdukur në Brazil (fotot)

03/05/2024 15:52

Reshjet e pandalura të nisura prej të hënës kanë shkaktuar një katastrofë në zona të varfra në jug të Brazilit teksa diga e një hidrocentrali vendas është shembur duke lënë deri tani 29 të vdekur dhe rreth 60 të zhdukur.

Pamje të tragjedisë së radhës të fenomeneve të papritura të motit, tregonin zona të tëra rurale të përmbytura nga balta në Rio Grande do Sul në juglindje të vendit.

Rajoni ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe numri viktimave pritet të rritet teksa grupe të shumta kërkimi po punojnë për të gjetur të zhdukurit mes shtëpive, rrugëve e urave të shembura.

Dëmet e stuhisë kanë prekur dhjetra bashki të shtetit dhe kanë detyruar rreth 10 000 njerez të zhvendosen.

Një pjesë e digës ’14 de Julho’ në qytetin Cotipora u shemb dje, duke shtuar nivelin e ujit në lumin Taquari.

Në disa prej zonave ra më shumë se 20 cm shi brenda 24 orëve që nuk ishte parë prej dekadash në rajon, tha instituti vendas i meteorologjisë INMET.

Guvernatori Eduardo Leite tha se Rio Grande do Sul po lufton me katastrofën më të rëndë në historinë e zonës.

Presidenti Lula, i cili fajësonte ‘ndryshimet klimatike’ për ngjarjen, erdhi në afërsi të zonës me një grup zyrtarësh për të koordinuar përpjekjet e shpëtimit.

Zyrtarët thanë se kanë të gatshëm 12 mjete ajrore, 45 automjete, 12 barka e 626 ushtarë për të ndihmuar me dëmet dhe spastrimet, shpërndarjen e ndihmave dhe ngritjen e strehave të përkohshme, shkruan Daily Mail.

FOTO GALERI
2/7
Mbetje te grumbulluara ne ure ne zonat e permbytjeve tragjike

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA