Tërheqja nga futbolli, Zlatan tregon për jetën e tij familjare: Bashkëshortja ime lan dhe gatuan! Kam qarë shumë për Raiolan…

02/05/2024 18:28
Zlatan Ibrahimoviç dhe bashkëshortja e tij

Zlatan Ibrahimovic ka folur për jetën e tij të re jashtë fushës në mikrofonat e “podcast”-it suedez “ABTalks”: “Cardinale më bëri një ofertë që nuk mund ta refuzoja.

Fillova të punoj me klubin tre ose katër muaj më parë dhe them se po shkon mire. Tërheqja nga futbolli ishte e vështirë për shkak të egos sime, për shkak të asaj që unë mendoj se jam më i miri. Jam akoma më i miri, mund të kisha vazhduar, por zgjodha të ndaloja.”

Arsyet që e bindën Zlatanin të “varte këpucët”: “Dua një jetë të mirë për familjen time. Doja të isha në gjendje të bëja gjëra me fëmijët e mi, nëse do të kisha vazhduar nuk do të kisha mundur t’i bëja shumë gjëra, sepse kisha probleme me njërin gju, kështu që e pranova, arrita në një pikë ku thashë “në rregull, fillo një kapitull të ri në jetën tënde”.

Gruaja ime më thotë gjithmonë “mbaj mend kush është kujdesur për ty para se ti të filloje të kujdeseshe për familjen”. Ajo hoqi dorë nga karriera për mua. Më shoqëroi në çdo gjë që bëra, më dha gjithçka dhe hoqi dorë nga gjithçka për mua.

Njerëzit mund të mendojnë se ne jemi një familje që jetojmë një jetë luksoze, por ajo lan dhe gatuan. E vetmja ndihmë që kemi është një pastruese. Nga të gjithë nxënësit e shkollës (në Shtetet e Bashkuara), vetëm fëmijët e mi shkonin me biçikletë”.

Mendimi për Mino Raiolën: “Kur ai u nda nga jeta, ishte goditje e rëndë për mua. Kam qarë shumë. Dhe nuk ka mbaruar ende. Më mungon shumë… Të gjithë ata që më njohin e kuptojnë sa të afërt ishim.”/ Supersport

Top Channel