Rekord i transportit ajror, Shqipëria vendi me rritjen më të lartë! Në mars, 233 për qind më shumë udhëtarë se në 2019

02/05/2024 15:33

Transporti ajror në Shqipëri është rritur me ritme të shpejta, pas pandemisë së Covid 19. Sipas statistikave, Shqipëria është vendi i parë në botë, me performancën më të mirë sa i përket numrit të pasagjerëve.

Në renditjen e “Airport Council International” për muajin mars, vendi ynë kryeson listën me 233.3 për qind rritje, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të para pandemisë, 2019.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se shifrat e të huajve që vijnë në Shqipëri flasin vetë, siç flet rritja marramendëse e dhënies së apartamenteve me qira për të huajt apo kërkesave për hotele. “Kush s’e do qeverinë le ta shajë sa të dojë, po nuk ka pse të mos gëzohet për Shqipërinë kur e vërteta flet kaq qartë si në këtë rast”, shton kreu i qeverisë.

“Ja edhe klasifikimi ndërkombëtar i marsit për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri krahasuar me numrat e vitit 2019 (para pandemisë), ku rritja e Shqipërisë vazhdon me ritmet më të larta.

Dhe e para, ata që thonë se janë shqiptarët që i mbushin avionët jo turistët, nuk duhet të harrojnë se edhe sikur të jetë kështu, ky është një lajm fantastik, sepse do të thotë që kanë shumë më tepër dëshirë të vijnë në Shqipëri, ndërkohë edhe çmimet e biletave janë ulur ndjeshëm falë shtimit të linjave ajrore. Por nuk është tamam kështu, sepse shifrat e të huajve që vijnë në Shqipëri flasin vetë, siç flet rritja marramendëse e dhënies së apartamenteve me qira për të huajt apo kërkesave për hotele.

E dyta, ata që thonë se s’na duhen turistët se ata vijnë për qejf, ne duam këtë e atë, nuk duhet ta harrojnë se qejfi i turistëve kushton dhe fitimet nga shpenzimet e tyre për qejf i marrin shqiptarët që punojnë, prodhojnë, shesin, shërbejnë e me radhë, ndërkohë që pjesa e të ardhura për shtetin nga rritja e aktivitetit ekonomik, investohet për të rritur pagat e investimet.

E fundit, kjo është arritje e Shqipërisë dhe gjithë këta që vijnë duke u shtuar i bëjnë jehonë pozitive vendit tonë, kur kthehen në vendet e tyre, prandaj kush s’e do qeverinë le ta shajë sa të dojë, po nuk ka pse të mos gëzohet për Shqipërinë kur e vërteta flet kaq qartë si në këtë rast”.

Mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë në tri muajt e parë të këtij viti. 734 mijë vizitorë e shijuan Shqipërinë gjatë muajit mars, ndërkohë që pritet shifrat zyrtare edhe për muajin prill.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA