Një sulm rus me raketa balistike të mërkurën në qytetin port ukrainas të Odesës, shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, tha guvernatori i rajonit, Oleh Kiper.
Ai tha gjithashtu se sulmi shkaktoi dëme në infrastrukturën civile. Është dita e dytë radhas që Odesa bëhet objekt i sulmeve vdekjeprurëse.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të mërkurën se mbrojtja e saj ajrore shkatërroi tre dronë ukrainas mbi rajonin e Voronezhit, si dhe dronët që synon të godisnin në Belgorod, Kursk dhe Ryazan.
Aleksandr Gusev, guvernatori i Voronezhit, tha se mbetjet e një droni dëmtuan një shtëpi, por nuk pati të lënduar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri përsëri thirrje aleatëve në fjalimin e tij të mbrëmjes që të dërgojnë sa më shpejt ndihma ushtarake në Ukrainë.
“Kemi nevojë për një përshpejtim të konsiderueshëm të dërgesave për të forcuar ndjeshëm aftësitë e ushtarëve tanë”, tha Zelenskyy. “Nuk janë bombat ajrore ruse dhe operacionet sulmuese që duhet të mbizotërojnë vijën e frontit, por përpjekjet tona ukrainase – mbrojtja jonë ajrore, artileria jonë, dronët tanë”.
Presidenti tha se Ukraina i ka shpresat tek shpejtësia e dërgimit të ndihmave amerikane.
Shtetet e Bashkuara janë zotuar të dërgojnë me shpejtësi paisjet e reja ushtarake në Ukrainë, pasi ligjvënësit miratuan ndihmën e re prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila kishte ngecur prej muajsh./VOA
Top Channel