Gjermania do ta mbështesë 90 milionë euro Kosovën dhe veçanërisht integrimin e saj në BE.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde njoftoi përmes një postimi në platformën X se 20 milionë euro nga kjo shumë janë për grante. “Kjo nënvizon angazhimin tonë të vendosur për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, ishte mesazhi i tij.
Në një njoftim të ambasadës gjermane theksohet se marrëveshja e re shënon një rritje të konsiderueshme në vlerën e mbështetjes krahasuar me periudhën e mëparshme 2022/2023, e cila ishte vlerësuar në 37 milionë euro, duke treguar kështu një thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Këto fonde do të përdoren për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe do të përqendrohen, midis të tjerash, në investime në sektorin e energjisë, në veçanti në procesin e dekarbonizimit, sigurimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrimin e trajnimeve dhe punësimit, si dhe mbështetjen e komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”, thuhet në njoftim.
Pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizitoi Berlinin ku u takua dhe me shefen e diplomacisë gjermane Annalena Baerbock. Marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, me theks procesi i anëtarësimit në Këshillin e Europës dhe energjia, ishin çështjet kryesore të diskutimit në këtë takim.
Një falenderim i veçantë i kreut të qeverisë së Kosovës shkoi veçanërisht për mbështetjen që Gjermania i dha kandidaturës së Kosovës në Këshillin e Europës dhe përkrahjes së vazhdon të japë deri në anëtarësimin e plotë.
Top Channel