Miroslav Lajçak

As raundi i fundit në Bruksel nuk solli gjë te re në qëndrimin mes palëve të përfshira në procesin e dialogut. Megjithatë, këtë radhë BE-ja doli me një propozim konkret kompromisi për Kosovën e Serbinë.

Duke parë që Prishtina dhe Beogradi kanë ngecur në qëndrime diametralisht të kundërta rreth çështjes së përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë, ndërmjetësuesi i bllokut Miroslav Lajçak, pas bisedave mbi shtatë orë që u zhvilluan të enjten në Bruksel, u dorëzoi propozimin në fjalë për të cilin nuk dha detaje, por shkroi në platformën X, se “do të presë takimin e radhës pas marrjes së komenteve konstruktive”.

Palëve sipas tij iu dha hapësirë e mjaftueshme dhe “propozimi për kompromis”, është një përpjekje për t’i kapërcyer dallimet.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tregoi se “propozimi i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket çështjes së ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë”.

“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizimin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, sqaroi Bislimi.

Ai tha se, “për herë të parë, ne kemi parë haptazi, të dokumentuar nga Serbia, se si ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit”.

Përfaqesuesi i Serbisë në këtë proces, Petar Petkovic theksoi nga ana e tij raundi i ri i bisedimeve do të zhvillohet më 13 maj, dhe se ai shpreson që të arrihet përparim. ” Si unë, ashtu edhe ekspertët patëm rastin të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për zgjidhjen e çështjes së dinarit, sepse Kurti kërcënoi me atë vendim ndalimin e përdorimit të dinarit, mbijetesën e popullit serb.

“Kjo duhet të zgjidhet urgjentisht, bëhet fjalë për ekzistencën e serbëve”, tha Petkovic, duke akuzuar autoritetet e Prishtinës se atyre “nuk i interesojnë serbët që duan ta lëshojnë Kosovën, por i interesojnë vetëm serbët që duan të integrohen në Kosovë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA