Arben Taravari ka reaguar në lidhje me fushatën e bërë për zgjedhjet nga partia e tij, ku i konsideron demokratike.
Ai u shpreh se kundërshtarët janë munduar të manipulojnë me vota joshqiptare.
“Vazhdojmë përpara edhe më të bashkuar. Ne kemi vlera, ne jemi VLEN. Më vjen keq që BDI nuk deshi të koordinohej me ne për president shqiptar. Ata preferuan të manipulojnë, me vota joshqiptare. Por manipulimeve do t’u vijë fundi në 8 maj. Dihet se në zgjedhjet parlamentare shqiptarët do të dalin shumë më shumë, kundër çdo pazari. Bashkë, pa hile, me vendosmëri!“, shkruan ai në Facebook.
Është numëruar 78% e votave në Maqedoni, ku deri më tani kryeson kandidatja Gordana Siljanovska Davkova e VMRO DPMNE me diferencë të thellë 39.58%.
Në Tetovë po kryeson Bujar Osmani, ndërsa në nivel vendi, Bujar Osmani është i treti aktualisht me 14,40%. Gordana Siljanovska pasohet nga Stevo Pendarovski me 19.33%.
Ndërsa Arben Taravari rezulton me 10.23%. Deri më tani janë numëruar votat në 2727 nga 3508.
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 18.30 në votime morën pjesë 48.46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.
Top Channel