Mandati i Olta Xhaçkës “përçau” demokratët.
Gazment Bardhi arriti të sigurojë 44 firma për ta ridërguar çështjen për herë të dytë në Kushtetuese duke peshkuar vota edhe nga radhët e PD-se zyrtare. Mes firmëtarëve ra në sy edhe nënshkrimi i dy deputeteve të rreshtuar ne kampin e Lulzim Bashës. Top Channel ka zbuluar shkresën që kreu i grupit demokrat depozitoi në Kushtetuese ku rreshtohen edhe emrat e Eralda Tase Bano dhe Ori Nebiajt.
Mes firmëtarëve ka dhe deputet të distancuar nga PD kohët e fundit si Agron Shehaj, i cili ka bashkuar votat me ish koleget e tij të grupit parlamentar. Beteja për mandatin e Olta Xhaçkës duket se ka shkrirë edhe akujt e demokratëve me Dashamir Shehi i cili krahas divorcit politik me grupimim e Sali Berishës, nuk nguroi të ndihmojë aleatët e tij historik.
Deputetët e Partisë së Lirisë të cilët nuk janë në ditët e tyre më të mira për shkak të sherrit brenda llojit, kanë gjetur kohë për të hedhur firmën në shkresën e Gazment Bardhit, Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili iu bashkuan kolegëve opozitarë për të goditur në Kushtetuese deputeten e Partisë Socialiste.
Gazment Bardhi u kujdes të mbante sekret emrat e firmëtarëve, por rrjedhja e emrave ne media solli reagimin e deputetes se PD zyrtare Eralda Tase Bano e cila nxitoi te sqarojë pozicionin e saj.
“Në asnjë çast vota ime kundër zonjës Xhaçka nuk ka sesi të jetë pozicionim i imi në krahun e rithemelimit. Unë i përkas Partisë Demokratike zyrtare siç e quajnë disa, Partisë Demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha.
Këtë zgjedhje e kam bërë që ditën e parë dhe sot jam më e bindur se kurrë për pozitën time, sqaroi deputetja Bano. Lulzim Basha u kap në befasi gjatë konferencës për shtyp kur u pyet për deputetët e tij qe bashkuan votat me Gazment Bardhin pasi ai doli kundër vendimit për të çuar në gjykatë Kushtetuese mandatin e Xhaçkës pasi kjo e fundit e ka dhënë verdiktin e saj për këtë çështje.
Top Channel