U arrestua në Durrës dy muaj më parë, lirohet nga burgu ish-anëtari i bandës së Gaxhait, “Çipuri”! I dënuar më parë për vrasje

23/04/2024 19:11
Armando Sulejmani "Çipuri"

Ka zgjatur shumë pak ditë qëndrimi i Armando Sulejmanit në qelitë e paraburgimit në Durrës ku u arrestua në shkurt të këtij viti pasi u kap teksa qarkullonte me një makinë, targat e së cilës rezultonin të vjedhura. Para arrestimit, Sulejmani me automjetin e tij tip “Benz”, tentoi të largohej me shpejtësi nga forcat “Shqiponja”.

Mësohet se 48 vjeçari i njohur ndryshe me nofkën “Çipuri” ish-anëtar i bandës së Gaxhait i dënuar më parë për vrasje, është liruar më 8 mars pas vendimit të dhënë nga gjykata e Tiranës e cila i caktoi si masë sigurie “detyrim paraqitje” Çdo datë 7 dhe 17 të muajit. Vendimi i dhënë u apelua nga prokuroria dy muaj më pas por u la në fuqi nga Gjykata e Apelit të Tiranës pasi prokurori Genti Xholi gjatë gjykimit hoqi dorë nga ankimi i ushtruar.

“Prokurori pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Genti Xholi, gjatë gjykimit, në seancë gjyqësore, hoqi dorë nga ankimi i ushtruar”- thuhet në njoftimin e dhënë nga gjykata.

Arrestimi i “Çipurit” i cili njihet si një ndër njerëzit më të rrezikshëm të botës së krimit shqiptar, u ndalua rreth orës 20:30 të 21 shkurtit nga forcat “Shqiponja” në lagjen nr.15 të Durrësit. Më 24 shkurt, gjykata shpalli të ligjshëm arrestimin e tij për veprat penale “vjedhje” dhe “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” duke i caktuar masën e sigurimit personal arrest me burg me afat 2 mujor duke filluar nga data 24 shkurt.

Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën dhe dosja e hetimit i kaloi prokurorisë së Tiranës.

Më pas prokuroria e Durrësit shpalli moskopetencën dhe aktet e hetimit paraprak ia dërgoi për kompetencë hetimi Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgoi dosjen gjyqësore në Gjykatën e Tianës.

Për të parë dokumentin e plotë të vendimit për lirimin e Çipurit, klikoni: Këtu.

Atentatet ndaj tij

Armando Sulejmani, nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Ai ishte dënuar me 20 vite burg për vrasje dhe vetëm pak kohë më parë kishte fituar lirinë.

Në 17 shkurt të vitit 2019 Sulejmani mbeti i plagosur nga një atentat me armë zjarri në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë. Në këtë ngjarje, mbetën të vrarë kunati i tij Orest Rexho dhe shoku i tij Arjan Hasani të cilët ndodheshin në automjet me “Çipurin”. Policia konfirmoi asokohe se shënjestra e atentatit ishte Sulejmani dhe se ngjarja kishte lidhje me një histori hakmarrjeje nisur vite më parë. Sulejmani sapo kishte dalë nga burgu dhe ishte përfolur për sulmin ndaj Ferdinand Llanajt, pjestar i fisit që njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj.

Më herët Çipuri i kishte shpëtuar një tjetër atentati në vitin 2016 kur dy persona hapën zjarr drejt tij në hyrjen e pallatit ku banonte. Sulejmani i shpëtoi sërish atentatit duke marrë vetëm një plagë në krah. Ndërsa policia ngriti dyshimet se atentati ishte kryer nga vrasës me pagesë, pavarësisht se shënjestra deklaroi se nuk i ka njohur personat që i bënë atentat pasi ishin të maskuar.

Pjesëmarrja e Sulejmanit në vrasjen e Elton Tatos në vitin 2002

Në qershor të vitit 2022 në lagjen “Skelë” të Vlorës, mbeti i vrarë me armë zjarri Elton Tato, ngjarje për të cilën Armando Sulejmani, i akuzuar si bashkëpunëtor me Sokol Sinomatajn, u dënua me 20 vite burg.

Ish-anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë
Sulejmani, njihet edhe si ish-anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë, një grup kriminal që veproi në qytetin bregdetar gjatë vitit 1997 kur shteti ishte në anarki totale. Pjesë e bandës, ai dhe anëtarët e tjerë u akuzuan për krijim të grupit kriminal, mbajtje të mjeteve luftarake, vrasje, pengmarrje dhe gjobëvënie. Nën drejtimin e Gazmir Brakës ai ishte në rivalitet me bandën e Çoles në Vlorë.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA