Zbulohet “shtëpia e barit” në Malësinë e Madhe, arrestohet 23-vjeçari, procedohen edhe 5 punonjës të OSHEE-së

23/04/2024 11:42

Një shtëpi bari u zbulua në fshatin Bzhetë të Malësisë së Madhe, ku u vu në pranga 23-vjeçari Xhoni Gjekaj, ndërsa u shpall në kërkim pronari Françesk Macoraj.

Policia e Shkodrës, ka mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, lëvizjet në banesë dhe ditën e hënë ka ndërhyrë duke arrestuar në flagrancë 23-vjeçarin. Banesa dykatëshe ishte përshtatur në një laborator të vërtetë droge.

I përshtatur me llamba ku u gjetën të kultivuara 145 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis, 64 llampa, 64 rritës energjie dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin informoi policia e Shkodrës.

Në banesë nuk jetonte njeri, pasi familjarët ishin zhvendosur jashtë shtetit, por policia ka shpallur në kërkim pronarin e banesës, shtetasin Francesk Macoraj. Perveë dy të rinjve, me drejtësinë do të përballen edhe 5 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, për shkak se për aktivitetin kriminale shfrytëzohej energjia elektrike.

Top Channel