Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur të hënën pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ajo i ka bërë këto deklarata në Nju Jork, në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa e ka prezantuar raportin për Kosovën.
Ziadeh ka raportuar për zhvillimet në Kosovë për periudhën 19 shtator 2023 deri më 15 mars 2024.
Sipas saj, disa herë gjatë kësaj periudhe është shënuar kthim mbrapa në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përmendur incidentin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Mes tjerash, ajo e ka shprehur shqetësimin e saj edhe për mënyrën e zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe. Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Ziadeh ka thënë se janë bërë shumë përpjekje për të gjetur zgjidhje për shqetësimin e serbëve në katër komunat veriore të Kosovës.
“Së fundmi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë thënë se nuk janë pjekur kushtet për të marrë pjesë në votime. Procesi dje ka shkuar mirë por për fat të keq shumë pak qytetarë kanë dalë në votime dhe kjo do ta vazhdojë problemin”.
Ajo tha se UNMIK-u do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për problemin.
Top Channel