Fiks Fare/ Pensionistët që i paguajnë “pension” shtetit, ish-ushtarakët; Detyrimet i mbarojmë në 2035-ën!

22/04/2024 20:40

Dhjetëra ish-ushtarakë në qarkun e Fierit u ankuan në redaksinë e “Fiks Fare” se po iu mbahet pensioni për vite me radhë.

Ata pohojnë se kanë dalë dhjetëra akte ligjore dhe nënligjore për të përfituar statusin e ushtarakut. “Unë kam dalë në rezerve në vitet ’90. Pasi dola mora pension të parakohshëm si ish-ushtarak në bazë të statusit. U pagova për vite me radhë dhe, para disa vitesh, dosja ime u rishikua dhe rezultoi se ma kishin dhënë pensionin e parakohshëm në mënyrë të padrejtë. Tani, nga viti 2013 deri në këto ditë, mua më mbahet një shumë prej 4 mijë lekësh nga pensioni çdo muaj. Me këto ritme, unë e shlyej borxhin në vitin 2031. Shpresoj të jem gjallë” pohon Llaqi Pine, ish-ushtarak.

Një tjetër ushtarak thotë se ka të njëjtën problematikë, teksa shlyerjen e detyrimeve e përfundon në vitin 2035. “Nëse këta të shtetit më sigurojnë që do të jem gjallë, unë vijoj dhe ta paguaj. Por nëse unë vdes, ky borxh do t’i kalojë familjarëve të mi. Do e paguajë bashkëshortja ime që merr 9 mijë lekë pension në muaj” thotë Flamur Buzi. Ai shton se çdo muaj është detyruar që të paguajë 4 mijë e 300 lekë, pasi i kanë thënë se “ta kemi dhënë pensionin e parakohshëm në mënyrë të padrejtë”. Sipas tij, arsyeja ishte se kishte përfituar tokë. “Unë s’kam marrë asnjë metër katrorë tokë në emrin tim. Pjesëtarët e familjes kanë marrë gjysmën e dynymëve për frymë. Nëse shteti ma siguron që unë do të jem gjallë, unë i paguaj” pohon ai.

Ndërkohë, Shefqet Seferi, 73 vjeç, pohon se edhe atij i mbahet një shumë nga pensioni. “Më mbajnë lekë muaj për muaj. Unë kam marrë tokë, por vetëm gjysmën e dynymëve për frymë. Unë kam edhe 500 mijë lekë për të paguar. Këtë shumë e përfundoj pas 9 viteve, kur të jem 82 vjeç. A do jem gjallë” thotë i moshuari. Sipas tyre, në të gjithë rrethin e Lushnjes janë 36 persona me problematikë të njëjtë. Ata saktësojnë se, kanë dalë përfitues të tokës në mënyrë indirekte, pasi kur është ndarë toka kanë qenë kryefamiljarë. “AMTP-ja del në emrin e kryefamiljarit por ne personalisht s’kemi marrë. Këta të ISSH-së disave iu kanë ndërprerë pagesën e këtij borxhi dhe ne jo” pohojnë ata.

Pas ankesës, gazetarët e Fiks Fare bashkë me denoncuesin Llaqi Pine shkuan në Drejtorinë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Fier. Instituti pranon se gabimet e përllogaritjes janë bërë kohë më para’. Më tej sqarojnë se, kanë dalë disa VKM për këtë kategori. Fillimisht, qeveria kishte përcaktuar se, ish – ushtarakët që kishin marrë tokë bujqësore në bazë të ligjit 7501, nuk përfitonin pension të parakohshëm si ushtarak. Por, ky përjashtim u hoq në vitin 2019.

Qeveria nxori një VKM me numër 657, i datës 10 tetor 2019. Vendimi përcakton se, ish-ushtarakët nuk e kanë kusht nëse kanë përfituar ose jo tokë bujqësore. Në bazë të këtij vendimi, ata përfitojnë pension të parakohshëm në bazë të statusit të ushtarakut, edhe pse kanë marrë tokë! Sigurimet Shoqërore pohojnë se ky vendim prek vetëm ish ushtarakët që kanë marrë pension të parakohshëm. Jo ata ish ushtarakë që, në momentin e daljes së këtij vendimi, kanë qenë në pension pleqërie. Vendimi s’ka fuqi prapavepruese, duke lënë jashtë 36 ish-ushtarakët që u ankuan në Fiks Fare.

“Ne jemi sorollatur për vite me radhë dhe vetëm ne na kanë lënë jashtë. Kërkojmë që edhe ne 36 ish ushtarakë të përjashtohemi nga ky detyrim dhe të mos vijojmë të paguajmë. Tani në vend të këtyre auditeve të shtohen gazetarët e Fiksit dhe t’na zgjidhin problemet” përfundon denoncuesi.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel