Ndërtim në shkelje të plotë të ligjit dhe falsifikim dokumentesh, Prokuroria e Tiranës sekuestron vilën 2-katëshe në Petrelë

21/04/2024 17:07

Prokuroria e Tiranës ka vendosur nën sekuestro preventive një objekt ndërtimi dy katësh me sipërfaqe 600 metër katrorë në Petrelë.

Vila dy katëshe në pronësi të Xh.Ç është pjesë e parcelës ku prokuroria sekuestroi edhe 7 ndërtesa të tjera në formë vilash me strukturë betoni me sipërfaqe të ndryshme dhe me mbulesa të llojit çati dhe tarracë betoni.

Ndërtimet ishin formalisht të pajisura me leje rindërtimi por dokumentacioni tekniko-ligjor rezultoi me të dhëna të rreme.
Në vitin 2023, nisi hetimi për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” sa i takon ndërtimit të kryer nga pronari Xh.Ç në parcelën me numër nr.2/a të Ekonomisë Pyjore Krrabë, Petrelë.

Në vijim të hetimeve për ndërtimet pa leje, u konstatua se në parcelën pyjore nr.2/a të ekonomisë pyjore ‘Krrabë–Gurrë’, janë kryer ndërhyrje të cilat bien në kundërshtim me legjislacionin e pyjeve dhe në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit.

Përveç veprës panele “ndërtim i paligjshëm” rezultoi se është kryer edhe vepra penale e falsifikimit të dokumenteve, pasi sipas Akt Ekspertizës së Thelluar, dt.12.09.2022, në pamje të parë duket të jetë lëshuar nga Instituti i Ndërtimit por që nga informacioni i marrë, ky akt nuk rezulton të jetë kryer përsa kohë nuk është proceduar me kryerjen e një veprimi të tillë për shtetasin Xh.Ç.

Duke qenë se vazhdimi i mëtejshëm i ndërtimit rëndon pasojat penale si dhe fakti se ky ndërtim është kryer në shkelje të plotë të ligjit, për sa kohë materiali i falsifikuar ka shërbyer për lëshimin e lejes përkatëse nga ana e Bashkisë së Tiranës, prokuroria ka vendosur sekuestro preventive ndaj objektit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA