Tirana bën detyrën kundër Erzenit, Skënderbeu “fundos” Kukësin! Verilindorët drejt rënies nga kategoria

19/04/2024 17:43

Tirana nuk gabon ndaj Erzenit, me “bardheblutë” që triumfuan 0-2 në “Elbasan Arena” në sfidën e javës së 32-të të Kategorisë Superiore.

Pjesa e parë foli për kryeqytetasit, që diktuan ritmin që në minutat e para, teksa në minutën e 19-të, Abazaj kaloi në avantazh Tiranën me golin e shënuar nga pika e bardhë e penalltisë dhe kështu u mbyllën 45 minutat e para.

Fraksioni i dytë nisi shumë mirë për shijakasit, të cilët kërkuan golin e barazimit, por shpërdoruan rastin më të mirë, pasi në minutën e 54-të, Kahrimanovic gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, me Kozin që bëri heroin për kryeqytetasit.

Një moment që ndikoi, kjo pasi Tirana reagoi dhe realizoi edhe golin e dytë pas gjashtë minutash me anë të Jonuzit që realizoi nga distanca.

Pavarësisht përpjekjeve, rezultati nuk ndryshoi, me Tiranën që merr fitoren e dytë radhazi dhe momentalisht ngjitet në vendin e katërt me 46 pikë, ndërsa Erzeni mbetet në pozita aspak komode, në vendin e nëntë me 31 pikë.

Në takimin tjetër, Kukësi nuk ia doli përballë Skënderbeut, me korçarët që fituan 0-2, në një ndeshje shumë të luftuar.

Sfida nisi menjëherë me një intensitet të lartë, me të dyja skuadrat që kërkuan portat respektive, ndërsa Kukësi i shkoi pranë avantazhit në minutën e 24-të.

Tetë minuta më pas, Rashica u tregua i saktë nga pika e bardhë duke i dhënë avantazhin Skënderbeut dhe me golin e sulmuesit u mbyll pjesa e parë.

Në 45 minutat e dyta, Kukësi provoi të reagonte, por në momentin më të mirë të “verilindorëve”, Skënderbeu realizoi edhe golin e dytë, përsëri me anë të Rashicës në minutën e 67-të.

Goli i dytë rezultoi një goditje e fortë për vendasit që më pas nuk gjetën forcë të reagonin, me korçarët që mirëadminstruan gjithçka.

Në minutën e 87’ Fejzaj gjeti rrugën drejt rrjetës për Kukësin, por goli i tij u anulua për pozicion të parregullt.

Një humbje me pasoja, pasi Kukësi tani është shumë pranë Kategorisë së Parë pasi qëndron në vendin e fundit me 26 pikë, ndërsa Skënderbeu ngjitet në kuotën e 44 pikëve në vendin e gjashtë dhe qëndron në garë për vendin e katërt./ Supersport

Top Channel