Gjyqi për Donald Trump/ Zgjidhen 12 anëtarët e jurisë që do të gjykojnë ish-presidentin amerikan

19/04/2024 15:43

Ndërsa përzgjedhja e një jurie që do të gjykojë ish presidentin Donald Trump nisi si një mision i pamundur me të dyja palët që kundërshtonin anëtarët si të anshëm, e enjtja solli rezultate.

12 anëtarë jurie për gjyqin penal ndaj ish-presidentit janë zgjedhur. Tashmë kanë mbetur për tu zgjedhur vetëm pesë zëvendësues, ndërsa gjyqtari Juan Merchan tha se të hënën ka caktuar datën e nisjes së gjyqit.

Gjyqi pritet të jetë plot pengesa, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Manhattan tha se nuk do t’i lejojë mbrojtjes së Trump të njihet me dëshmitarët e parë, për ta ndaluar këtë të fundit që t’i postojë ata në rrjete sociale dhe t’i intimidojë.

Duke folur shkurtimisht përpara hyrjes në sallën e gjyqit, Trump duke mbajtur një tufë dokumentesh në dorë edhe njëherë akuzoi drejtësinë amerikane se po i bënte një përndjekje për llogari të rivalit politik demokrat Joe Biden.

“Këto që kam në dorë janë të gjitha artikuj të publikuar nga ekspertë ligjorë të cilët thonë se rasti i ngritur kundër meje nuk ka asnjë bazë për tu gjykuar. Kjo çështje është qesharake, një përpjekje për të më hequr nga gara. Nuk kam mashtruar për asgjë. E gjitha bota po e sheh këtë gjyq farsë.”

Trump, 77 vjeç, i cili po kërkon të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në nëntor, akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit në prag të fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016 për të mbuluar një takim seksual me një yll të filmave për të rritur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA