Zoran Milanoviç

Gjykata Kushtetuese e Kroacisë vendosi të premten se Presidenti Zoran Milanoviç nuk mund të marrë postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të kësaj jave.

Gjykata deklaroi se zoti Milanoviç nuk ka respektuar një paralajmërim të saj të lëshuar në muajin mars se duhej të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit para se të angazhohej sërish në fushatë për t’u bërë kryeministër.

Presidenti Milanoviç e ka kritikuar shpesh Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe ka kundërshtuar ndihmën për Ukrainës në luftën e saj me agresion rus.

Partia konservatore në pushtet e Kryeministrit Andej Plenkoviç, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i fitoi zgjedhjet të mërkurën duke marrë 61 vende në parlament, por pa siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, duke i nxitur partitë e tjera të nisin negociatat për të formuar një koalicion qeverisës.

Koalicioni i udhëhequr nga Partia opozitare Social-Demokrate e zotit Milanoviç doli e dyta me 42 vende në kuvend. Ky rezultat e zbehu mundësinë që Presidenti Milanoviç të bëhet kryeministër, por vendimi i të premtes e ndalon një mundësi të tillë edhe nëse do të siguronte përkrahjen e partive më të vogla.

Grupi i së djathtës ekstreme, Lëvizja Vendlindja doli e treta me 14 vende, rezultat që mund t’i japë rol vendimtar në krijimin e koalicionit me Bashkimin Demokratik Kroat.

“Me deklaratat dhe veprimet e tij, presidenti i republikës… e ka vendosur veten në një pozitë ku nuk mund të bëhet as mandatar i qeverisë së ardhshme e as Kryeministër”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Presidenti Milanoviç e shpërndau parlamentin kroat më 18 mars, duke nxitur zgjedhje të parakohshme këtë javë dhe deklaroi se do të garonte për postin e kryeministrit dhe do të jepte dorëheqje nga posti i presidentit vetëm pasi t’i ketë fituar zgjedhjet. Gjykata Kushtetuese deklaroi që atëherë se ai ishte i detyruar të jepte dorëheqjen para zgjedhjeve.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nuk priten deri javën e ardhshme pasi do të përsëriten votimet në dy zona për shkak të parregullsive./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA