“Akuzat, të pavërteta! Sulmi i orkestruar me qëllime të paligjshme”, reagon shoqëria “B.M.” Sh.p.k: Shpifjet do ndiqen në rrugë institucionale

19/04/2024 10:52

Shoqëria B.M sh.p.k ka reaguar sot në lidhje me një njoftim të shpërndarë dje nga Prokuroria e Shkodrës dhe i cilëson akuzat e saj si “tërësisht të pavërteta që përbëjnë një sulm të orkestruar me qëllime të paligjshme”.

“Marrë shkas nga disa publikime mediatike dhe në disa portale, shoqëria “B.M.” Sh.p.k., sqaron publikisht se të gjitha publikimet ndaj drejtuesve dhe kësaj shoqërie, janë tërësisht të pavërteta dhe përbëjnë një sulm të orkestruar me qëllime të paligjshme. Këto aludime janë tërësisht fantazi dhe shpifje. Shoqëria “B.M.” Sh.p.k., është distributor zyrtar i produkteve Birra Bavaria dhe Pija Energjike 8S2. Shoqëria “B.M.” Sh.p.k., publikisht mohon çdo pretendim apo aludim për të gjitha akuzat e aluduara, të cilat nuk janë asgjë tjetër veç shpifje dhe do të ndiqen nga ana jonë institucionalisht”, thuhet në njoftim.

Drejtuesit e shoqërisë bëjnë të ditur se vijojnë në zbatojnë ligjin me rigorozitetin më të lartë dhe veprimtaria e kësaj shoqërie ka qenë dhe vijon të jetë në përputhje të plotë me ligjin. Shoqëria “B.M.” Sh.p.k., bën të ditur se është taksapagues i rregullt dhe në çdo kohë dhe në çdo rast, ka zbatuar ligjin dhe me krenari është një shoqëri e standardeve Europiane.

“Garantojmë publikisht çdo konsumator, bashkëpunëtor si edhe publikun e gjerë se, pavarësisht akuzave të pabaza dhe këtyre aludimeve, puna dhe veprimtaria e shoqërisë do të vijojë duke siguruar në treg produket tona si gjithmonë, në cilësinë dhe standardin më të lartë. Produktet si Birra Bavaria dhe pija energjike 8S2, do të vijojnë të jenë në treg duke qenë produkte lider në treg”, bën të ditur kompania.

Shoqëria “B.M.” Sh.p.k., inkurajoi institucionet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre mbi baza ligjore me synimin e vetëm zbatimin e ligjit.

“Ne jemi të bindur se çdo proces ligjor dhe mediatik ndaj shoqërisë dhe drejtuesve të  saj, do të rezultojë në rrëzimin e të gjitha aludimeve dhe ‘akuzave’. Këto sulme mediatike dhe të gjitha aludimet do te rrëzohen institucionalisht, siç edhe ka ndodhur më parë”.

Sipas “B.M.” Sh.p.k., sulmet mediatike kanë një prapavijë tregtare dhe me qëllim të posaçëm dëmtimin e imazhit dhe veprimtarisë të shoqërisë të cilave ajo thotë se do u përgjigjet institucionalisht.

“Sulmet kanë si qëllim cenimin e imazhit të produkteve Birrës Bavaria dhe pijes energjike 8S2, të cilat kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë lider në treg”, njofton shoqëria.

Top Channel