Sondazhi, shqiptarët 79.4% pro SPAK/ Mbështetja e SHBA ndaj Prokurorisë së Posaçme, votuan rreth 6 400 vetë në top-channel.tv

18/04/2024 19:41

Akuzat me tone kërcënuese të Ilir Metës në adresë të kreut të SPAK Altin Dumani, prodhuan një reagim en-block të SHBA, Britanisë së Madhe dhe Delegacionit të BE në mbështetje të Prokurorisë së Posaçme.

E gjitha një izolim total  nga ndërkombëtarët ndaj ish presidentit të vendit në inkuizicionin anti SPAK, prokurori e cila e ka vënë nën hetim bashkë me familjarët e tij.

Krahas kësaj  kundërshtie  të fortë të ndërkombëtareve, ish King-Mejkeri i politikës shqiptare sa djathtas dhe majtas, Ilir Meta ka humbur edhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë.

Këtë e tregon edhe ky sondazh i faqes më të madhe informative online Top Channel.

Gjatë 24 orëve të fundit është publikuar pyetja  “Ambasada amerikane doli në mbrojtje të kreut të SPAK Dumani.  A jeni dakord me të?”

Në këtë sondazh deri më tani kanë votuar 6400 persona.

Shumica dërrmuese prej 79.44 % dakordësohet me qëndrimin e selisë të Washingtonit në Rrugën e Elbasanit.

Ndërsa 14.51 % kanë votuar jo dhe 6.04% thonë se nuk e dinë.

Këto të dhëna tregojnë vijueshmërinë e qëndrimeve të qytetarëve shqiptarë në mbështetje të SPAK për ti dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë e zullumeve të politikanëve të djeshëm e të sotëm.

Top Channel