“Privilegj të punojmë krah për krah me shqiptarët”, Wisner vlerëson punën e SPAK: Drejtësisë ka ndërmarrë veprime kundër politikanëve të korruptuar

18/04/2024 19:32

I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner i tha Zërit të Amerikës se e ardhmja e Shqipërisë nuk qëndron te njerëzit e përfshirë në korrupsion.

Gjatë intervistës, ai vlerëson punën e institucioneve të drejtësisë dhe nënvizon se është me rëndësi kyçe që të vijojë lufta kundër këtij fenomeni në nivelet e larta.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Zoti Wisner, ju po mbushni 8 muaj në Shqipëri, dhe gjatë kësaj periudhe keni drejtuar ambasadën amerikane këtu. Cilat kanë qenë çështjet kryesore me të cilat ju është dashur të merreni?

David Wisner: Armand, shumë faleminderit për mundësinë që të jem këtu sot. Është nder të jem me ju dhe të flas me shikuesit tuaj. Në radhë të parë, edhe për nga rëndësia, roli i çdo ambasade amerikane është të ofrojë shërbime dhe mbrojtje për nënshtetasit amerikanë. Jam shumë krenar për punën që kemi bërë në atë drejtim tetë muajt e fundit.

Për sa i përket punës që po bëjmë me Shqipërinë dhe shqiptarët, gjërat ndahen në tri kategori: mbështetja jonë për demokracinë e Shqipërisë, dëshira jonë për të ndërtuar lidhje më të mëdha në fushën e mbrojtjes, si dhe nxitja e lidhjeve të biznesit. Në lidhje me demokracinë, ka qenë privilegj të punojmë krah për krah me shqiptarët, për të ndërtuar institucione të rëndësishme, qofshin këto institucione të qeverisjes apo institucione të pavarura të drejtësisë, të punojmë me shoqërinë civile. Ky ka qenë një fokus i vërtetë i punës dhe është diçka që Sekretari Blinken e theksoi vërtet dy muaj më parë gjatë vizitës së tij këtu, për të cilën jemi shumë krenarë.

Në fushën e mbrojtjes, Shqipëria, 15 vite si aleate në NATO, që punon krah për krah me amerikanët dhe aleatë të tjerë kudo në botë. Hapja e Bazës Ajrore të Kuçovës, dy muaj më parë, ishte një çast vërtet i veçantë që nënvizoi integrimin në rritje të Shqipërisë në bashkësinë euro-atlantike. Dhe vazhdojmë të punojmë, çdo ditë, përmes mekanizmave tona të mbrojtjes për të ndërtuar kapacitetet shqiptare për të kontribuar në NATO. Dhe, sigurisht, po punojmë bashkë me Shqipërinë teksa ajo synon të përmbushë angazhimet e saj të shpenzimeve për mbrojtjen si pjesë e premtimit në Samitin e Uellsit.

Pastaj sigurisht, për lidhjet e biznesit. Ka disa zhvillime vërtet emocionuese këtu. Për shembull, kemi rritje tri herë në pesë vitet e fundit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara. Ka pasur një rritje 60% gjatë vitit të fundit në eksportet nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. Ky është bashkëpunim real, i prekshëm që zhvillohet mes dy vendeve tona. Kemi disa projekte vërtet emocionuese në fushën e energjisë së rinovueshme, në fushën e hotelerisë për të cilat jemi të emocionuar dhe që po ashtu do të sillnin ndryshim të vërtetë në Shqipëri dhe për shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Zoti Wisner, drejtësia duket se mbetet një prioritet për diplomacinë amerikane në Tiranë. 8 vjet pas nisjes së reformës së këtij sistemi, vlerësimet janë nga më të ndryshmet e ka mes tyre dhe ide se do të ishte e nevojshme që të bëhet një analizë e asaj cfarë është bërë dhe çfarë nuk ka ecur sic duhet. A do të ishte gjëja e duhur?

David Wisner: Gjithmonë kemi thënë se reforma në drejtësi, ndërtimi i institucioneve të pavarura në këtë vend, nuk do të ishte asnjëherë e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur. Dhe mendoj që kjo vazhdon të jetë e vërtetë sot. Por mendoj edhe që shqiptarët duhet të ndihen me të drejtë krenarë për faktin që institucionet e pavarura të drejtësisë sot kanë ndërmarrë veprime kundër politikanëve të lartë të dyshuar për korrupsion, kanë ndërmarrë veprime kundër figurave të krimit të organizuar. Ky lloj përparimi nuk është pak dhe është me rëndësi kyçe që të vazhdojë angazhimi i të gjithë shoqërisë shqiptare për t’i luftuar ato sepse këtë duan vërtet shqiptarët. Dhe ne jemi shumë krenarë që qëndrojmë në krah të shqiptarëve teksa ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

 

Top Channel