“Meta vrau parimin e prezumimit të pafajësisë”, Vangjeli për akuzat e kreut të PL-së ndaj SPAK dhe Dumanit: Po kërkon të gjejë alibi për atë që mund të ndodhë

18/04/2024 21:31
Analisti Lorenc Vangjeli në "Top Story"

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në studion e emisionit “Top Story” me Grida Dumën në Top Channel, ka analizuar veprimet e Ilir Metës dhe kërcënimet e fyerjet e shumta që ka drejtuar së fundmi ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit.

Duke marrë në shqyrtim rrugëtimin e Metës që nga krijimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjeli tha se Meta ka zgjedhur këtë herë mjetet më të gabuara të mundshme në betejën e tij.

“Në politikë Ilir Meta ndoshta nesër do mbahet mend si mjeshtri i madh i fitores së shumë betejave të vogla por askush si ai nuk është në gjendje të humbasë luftën finale. Në vijimësi e ka bërë këtë. Ka zgjedhur në këtë betejë mjetet dhe mënyrat më të gabuara të mundshme.

Nëse lexohet çfarë thuhet majtas dhe djathtas çifti meta dhe kryemadhi nuk janë causheskt e Tiranës. Për faktin që në 30 vite ose që nga 2004 e këtej gabimi më spektakolar i Metës, krijimi I LSI, pushteti që ata kanë fituar në 2009-ën dhe në 2013-ën duke u dhënë pushtetin, ata nuk fituan dashurinë e palëve nuk fituan dashurinë e tyre por urrejtjen e tyre”- u shpreh Vangjeli.

Sipas Vangjelit sulmet dhe akuzat që Meta ka bërë ndaj Prokurorisë së Posaçme, kërkon që t’i përdorë si alibi të nesërmen. Analisti u shpreh se me deklarata të tilla, Meta ka vrarë parimin e prezumimit të pafajësisë mbi atë çfarë po hetohet.

“Duket sikur po krijon alibinë e të nesërmes duke shkelur prezumimin e pafajësisë. Mënyra sesi foli ndaj SPAK dhe drejtuesit të saj, një shkallë shumë me e lartë se Berisha dje, i vret parimin e prezumimit të pafajësisë. Sido që të shkojë hetimi gjyqësor të thotë ata më kishin paragjykuar prandaj i sulmova.

Për një politikan është shumë me rëndësi të fitojë konsensusin e publikut. E majta pavarësisht ngacmimeve picante të Ramës, prapë thotë është krijesa jonë dhe do të bëhet bashkëaksioner, ndërsa opozita tenton të bëjë të kundërtën”– tha ndër të tjera analisti.

Top Channel