GJKKO urdhëron SPAK t’i japë dosjen elektronikisht Beqajt, ish-ministri: Vendim i drejtë, u rrëzua pengesa artificiale që Prokuroria e Posaçme na ka bërë këto muaj

18/04/2024 11:40

GJKKO ka urdhëruar SPAK t’i vendosë aktet elektronikisht ish-ministrit Ilir Beqaj dhe të akuzuarve të tjerë.

Beqaj tha se vendimi ishte shumë i drejtë dhe se u rrëzua pengesa artificiale e krijuar nga SPAK, muajt e fundit.

“Në arsyetim tonë, të të gjithëve dhe të avokatëve tanë, vendimi ishte shumë i drejtë, pasi rrëzoi pengesën artificiale që me qëllim akuza na ka bërë gjithë këto muaj. Urdhëroi akuzën që të na vërë në dispozicion të 602 volumet në versionin elektronik, pa pagesë”, tha Beqaj.

Ish-ministri i shëndetësisë është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.

Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar.

Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Top Channel