Gjashtë të arrestuar në Toronto për grabitjen spektakolare të floririt, të denjë për ‘filma aksioni’ (fotot)

18/04/2024 17:31

Policia që po heton një grabitje spektakolare floriri disa milionë dollarë në aeroportin kryesor të Torontos, tha sot se ka arrestuar gjashtë persona dhe ka sekuestruar dhjeta armë zjarri të lidhura me ngjarjen, për të cilën oficerët thonin se mund të përfshihej në një ‘serial filmash aksioni.’

Më shumë se 6000 pllaka bankare floriri me vlerë 21 milionë dollarë kanadezë ($15mln), dhe 2 milionë dollarë në para të thata ishin vjedhur nga sektorët e ngarkesave në aeroportin ndërkombëtar Pearson në Toronto një vit më parë në një prej grabitjeve më të mëdha në vend.

Dje policia rajonale dhe zyrtarë amerikanë të rendit njoftuan për konkluzionet e hetimit të gjerë, dhe arrestimet e pesë personave në Kanada dhe një në SHBA.

Grabitësit që kishin ardhur në aeroport me një kamion pesë-tonësh morën floririn pa probleme duke prezantuar një autorizim të vërtetë, siç ishte përdorur dhe më herët nga tërheqësit e mallrave.

Zyrtarët nuk thanë sesi e kishin siguruar dokumentin grabitësit.

“Kjo histori sensacionale është e denjë për serialet e filmave të aksionit”, tha kreu i policisë vendase Nishan Duraiappah, duke qëndruar para kamionit te përdorur në grabitje.

Policia tha se floriri kishte ardhur disa ditë më parë nga Zvicra, ndërsa pas grabitjes ishte shkrirë dhe përdorur për të blerë armë si pjesë e një rrjeti trafiku te organizuar.

Mes të arrestuarve ishte dhe Parmpal Sidhu, një punonjës 54-vjeçar i Air Canada, ndërsa një punonjës i dytë i aeroportit, Simran Preet Panesar, 31 vjeç, është ende në kërkim, çka ka bërë që policia të mendojë se grabitja ishte një “punë e brendshme”.

Shoferi dyshuar i kamioni Durante King-Mclean, ishte kapur gjatë një ndalese në trafik në Pennsylvania kur iu gjetën 65 armë zjarri.

Kompania e sigurisë Brink’s që transportonte ngarkesën, argumenton se prej sigurisë së dobët të aeroportit grabitësit ishin larguar me 400kg flori dhe rreth 50kg në kartmonedha. Ndërsa linjat ajrore Air Canada akuzojnë Brink se solli vlerat nga Zurihu pa deklaruar vlerën e tyre dhe pa kërkuar të paguante për siguri të shtuar për ngarkesën.

Gjyqi për çështjen e përgjegjësisë mes aeroportit dhe kompanisë së sigurisë vazhdon.

FOTO GALERI
2/3
Grabitësit që kishin ardhur në aeroport me një kamion pesë-tonësh morën floririn pa probleme duke prezantuar një autorizim të vërtetë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA