Roma më pranë gjysmëfinaleve të Europa League, De Rossi: Presim një Milan sulmues, por do të dimë të menaxhojmë avantazhin

17/04/2024 18:47

Pas fitores në aktin e parë çerekfinal të Europa Leagues ndaj Milanit në “San Siro”, Roma e sheh veten më pranë gjysmëfinaleve, megjithatë në prag të ndeshjes së kthimit De Rossi paralajmëron të tijtë se do të jetë mjaft e vështirë.

Tekniku i verdhekuqve zbulon detaje nga formacioni dhe strategjia e lojës, teksa komenton edhe gjendjen shëndetësore të mbrojtësit Ndicka, i cili shfaqi probleme në zemër në fundjavë ndaj Udineses në kampionat.

Si është gjendja e Ndicka?

Për fat është shumë mirë dhe kjo ka më shumë rëndësi. Ne bëmë veprimin e duhur në fushë, atë që duhej bërë për situata të tilla. Tani ai do të kryejë të gjitha ekzaminimet e nevojshme, në mënyrë që të rikthehet sërish në fushë pa frikën e ndonjë ngjarjeje të rëndë.

Ndeshja e të enjtes do të jetë vendimtare për fatin e Piolit te Milani…

Unë nuk lexoj gazetat, por mund t’u them se Milani i Piolit është në vendin e dytë dhe luan shumë mirë. Kjo ndeshje paraqet një mundësi të fundit që ata të fitojnë një trofe dhe pres që ta luajnë në maksimumin e tyre. Do të jetë e vështirë.

Sa i rëndësishëm është fakti që luani me një avantazh në këtë takim?

Nuk ka asnjë avantazh, pasi nuk është se ne e fituam 7-0 ndeshjen e parë. Ne kishim rastet tona dhe Milani të vetat. Në fund fituam ne, por çdo gjë është e hapur dhe duhet të bëjmë shumë kujdes në ndeshjen e kthimit.
Do të shohim një Romë që mbron rezultatin?

Do të mbrohemi me kujdes patjetër, ashtu si në ndeshjen e parë por do të shohim edhe përpara. E dimë që nëse arrijmë t’i shënojmë një gol Milanit, atëherë e rrëzojmë edhe moralisht, ndaj nuk do të hidhemi në aventurë, por as nuk do të rrimë gjithë kohën në pritje.

Kush luan në vendin e Cristantes?

Bove. Është një djalosh shumë interesant, te i cili besojmë shumë. Nuk dua t’i vë shumë presion, por jam i sigurt që në fund të ndeshjes do të dalë me fanellën e qullosur nga djersa. Shpresoj të bëjë një ndeshje të mirë, pasi e meriton për mënyrën si stërvitet dhe punon çdo ditë./ Supersport

Top Channel