“Më kërcënoi gangsteri që arrestova në Shqipëri”, ish-polici i Sarandës dënohet me 2 vite burg në Britani pasi u kap në shtëpi bari me vlerë 850 mijë paund

17/04/2024 18:52

Në muajin mars të këtij viti, 2 të rinj shqiptarë në Britani të Madhe u lanë në burg nga gjykata pasi në 2023-in ishin kapur brenda fermës së kanabisit në West Lothian me vlerë 850 mijë paund.

Mediat britanike, kanë bërë me dije se njëri prej tyre, 24 vjeçari Igli Duka rezulton të jetë ish-oficer i policisë së Sarandës. I riu ka pretenduar se është larguar drejt Britanisë së Madhe pasi në Shqipëri ishte shantazhuar nga një “gangster” që kishte arrestuar.

Duka tha se gangsteri kishte kërcënuar familjen e tij pasi kishte dalë nga paraburgimi i policies nga ku sipas tij, kishte dalë duke dhënë ryshfet.

Ish-oficeri ka deklaruar më tej se ishte arratisur drejt Britanisë së Madhe nga frika për sigurinë e tij dhe kishte gjetur punë në një kantier ndërtimi në Birmingham. Por më tej ai ka deklaruar se banda që e kërkonte kishte kapur babain e tij të cilin e kishin detyruar të tregonte vendndodhjen e të birit.

Dukës iu dha zgjedhja që të kujdesej për fermën e kanabisit ose të përballej me pasoja të rënda për familjen e tij në Shqipëri.
Gjykata caktoi dënimin me 2 vite burg për të riun dhe përllogaritja e dënimit nis që prej 22 shtatorit të vitit 2023 kur u arrestua.

Top Channel